web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Florinda Zegullaj, nga studimet në Poloni te detyra e prefektes së Korçës/ Sfida personale që u kthye në mision social

12 Tetor 2026, 14:54, Sociale CNA

Florinda Zegullaj, nga studimet në Poloni te detyra e prefektes së

CNA sjell një profil të veçantë të prefektes së Qarkut Korçë, Florinda Zegullaj, një rrugëtim që nis nga ëndrrat e një vajze të re, vijon me studimet dhe karrierën profesionale në Poloni dhe rikthehet në qytetin e saj të lindjes, aty ku sot mban një prej përgjegjësive të rëndësishme të administratës publike.

Në një intervistë për CNA, Zegullaj rrëfen sfidat e viteve të studimit jashtë vendit, eksperiencat në institucione dhe kompani ndërkombëtare, si dhe lidhjen e veçantë me Universitetin “Fan Noli”, ku synon të vijojë edhe rrugëtimin e saj akademik.

Por përtej karrierës, ky është edhe rrëfimi i një nëne që përballjen me diagnozën e autizmit të djalit e shndërroi në një mision për të qenë zëri i fëmijëve dhe familjeve që përballen me mungesën e shërbimeve dhe mbështetjes së nevojshme. Një histori ku ambicia profesionale, lidhja me vendlindjen dhe sfidat personale ndërthuren, duke dëshmuar se pas një detyre publike qëndron edhe një histori njerëzore, me përvoja, sakrifica dhe një mision që shkon përtej zyrës së prefektes.

Shkallët e (ish) Bashkisë së Korçës kanë një domethënie të veçantë për të. Janë pikërisht ato që e kthejnë pas në kohë, në ditët kur, vetëm 23 vjeçe dhe e sapodiplomuar, trokiti në dyert e institucionit me CV-në në dorë dhe shpresën se puna e përkushtimi do të vlerësoheshin.

Florinda Zegullaj, nga studimet në Poloni te detyra e prefektes së

“Më keni kthyer në një kohë shumë të dashur. Më keni bërë nostalgjike. Këto shkallë kanë një domethënie shumë të veçantë për mua, sepse ende e kam të gjallë kujtimin kur sapo kam përfunduar studimet e mia të larta, kam ardhur këtu si një studente e porsadiplomuar, 23-vjeçare, me CV-në time duke u drejtuar në zyrat e kryetarit të Bashkisë së Korçës, me shpresën gjithmonë dhe me besimin që njerëzit e punës do të vlerësoheshin. Edhe duke i ngjitur këto shkallë si prefekte e qarkut, besoj se ky manifestim u realizua në një kohë të shkurtër.”

Hapat e parë në karrierë i hodhi në Drejtorinë e Financës në Bashkinë e Korçës, në një periudhë kur qyteti po përjetonte transformime të rëndësishme infrastrukturore dhe urbane. Për Zegullajn, kjo eksperiencë ishte një shkollë e vërtetë profesionale, ku pati mundësinë të njihte nga afër proceset financiare dhe investimet që ndryshuan pamjen e qytetit. Ajo kujton se puna intensive dhe bashkëpunimi me kolegët kanë qenë thelbësore në formimin e saj, duke vlerësuar mbështetjen që mori në fillimet e rrugëtimit profesional.

“Në kohën që unë kam filluar këtu, kam punuar në Drejtorinë e Financës. Ka qenë periudha e 'boom'-it të investimeve të vizionit të qeverisë shqiptare, Rilindja Urbane, dhe kam pasur fatin e madh që të prek nga afër çdo investim të kryer në çdo centimetër të këtij qyteti. Puna ka qenë intensive, ka qenë e vështirë, më ka mësuar shumë. Kam pasur bashkëpunimin e shumë kolegëve, u jam mirënjohëse gjithë jetën, sepse pa ata nuk do të isha rritur kaq shumë as profesionalisht, po as si njeri.”

Edhe pse sot mban detyrën e prefektes së Qarkut Korçë, Zegullaj shprehet se nuk e ka shkëputur lidhjen me akademinë, duke e konsideruar atë një pjesë të rëndësishme të identitetit të saj profesional.

“Patjetër, universiteti është dashuri, për mua është puna e ëndrrave të mia sepse gjithë investimi im ka qenë për t’u bërë një profesore akademike. Zoti e donte që të provoja njëherë institucionin e prefektit e më pas të investoj sepse jam ende duke punuar në rrugëtimin tim akademik. Patjetër nuk mundem ta shkëpus sepse mësimdhënia dhe rrugëtimi akademik janë gjëja më e çmuar që kam dhe aty kam kontribuuar më së shumti në gjithë jetën time.”

Florinda Zegullaj, nga studimet në Poloni te detyra e prefektes së

Një tjetër etapë e rëndësishme në rrugëtimin profesional të Florinda Zegullajt lidhet me Universitetin “Fan Noli” në Korçë, ku ajo ka ushtruar detyrën e përgjegjëses së Sektorit të Prokurimeve Publike dhe Investimeve. Në këtë institucion, krahas angazhimit në administratë, ajo ka gjetur mbështetjen dhe frymëzimin për të vijuar studimet e saj akademike, deri në përfundimin e doktoraturës. Godina dhe mjediset e universitetit i rikthejnë kujtimet e viteve intensive të punës, kur së bashku me një staf të vogël administrativ kontribuoi në përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve për studentët dhe pedagogët.

“Kanë qenë vite shumë të bukura, kanë qenë intensive për sa i takon punës. Godinën që shikoni, në kohën që unë jam emëruar këtu si përgjegjëse e Sektorit të Prokurimeve Publike dhe Investimeve, e kemi inauguruar, kam filluar me këmbë të mbarë punën. Ka qenë një atmosferë që më ka motivuar shumë. Më kanë frymëzuar dhe më kanë inkurajuar që përveç detyrës funksionale të ndiqja edhe rrugëtimin tim akademik. Patjetër kam pasur mbështetjen e kolegëve dhe vetëm falë tyre kam mundur që të realizoj edhe studimet e mia doktorale.”

Florinda Zegullaj, nga studimet në Poloni te detyra e prefektes së

Për Zegullajn, bashkëpunimi me stafin akademik të Universitetit “Fan Noli” ka qenë një shtysë e rëndësishme për zhvillimin e saj profesional. Ajo kujton se krahas përgjegjësive në punë, ka vijuar studimet në Universitetin e Europës Juglindore, ku është udhëhequr nga akademikë të njohur. Doktoraturën e përfundoi brenda tri vitesh, nën drejtimin e profesorit Veland Ramadani, të cilin e vlerëson si një prej figurave që kanë ndikuar në formimin e saj shkencor.

“Mësimi në Universitetin e Europës Juglindore zhvillohej të shtunave, edhe unë mezi prisja që të hënën të vija këtu dhe të ndaja me kolegët gjithë ato eksperienca apo gjithë ato leksione që ndodhnin në auditoret e atij universiteti që ka një reputacion. Më ka mentoruar i madhi Veland Ramadani, shkencëtari, i cili për disa vite radhazi është në krye të top-listës së 2% të shkencëtarëve më të cituar në botë për sa u takon tematikave të bizneseve familjare. Kam përfunduar brenda tri viteve, në një kohë rekord, studimet doktorale, nën udhëheqjen e tij. Shembuj motivimi kam pasur plot, por modestisht e them që kemi akoma shumë punë për të bërë, sepse puna nuk mbaron asnjëherë dhe duhet të jemi gjithmonë kërkues nga vetja.”

Florinda Zegullaj, nga studimet në Poloni te detyra e prefektes së

Një tjetër aspekt që e bën të veçantë këtë eksperiencë është kontributi në zhvillimin e infrastrukturës së universitetit. Gjatë kohës kur drejtonte sektorin e prokurimeve dhe investimeve, Zegullaj thotë se, pavarësisht numrit të kufizuar të punonjësve në administratën e rektoratit, u arritën rezultate konkrete në përmirësimin e mjediseve universitare, laboratorëve dhe kushteve të brendshme. Ajo e cilëson këtë periudhë si një përvojë me sfida të shumta, veçanërisht për shkak të përgjegjësive që shoqërojnë prokurimet publike, por shprehet krenare për punën e realizuar dhe mundësitë që teknologjia e re, përfshirë inteligjencën artificiale, mund të krijojë për të ardhmen.

“Puna në sektorin e prokurimeve këtu, jam shumë krenare sepse, siç e shihni, universiteti tashmë ka një infrastrukturë shumë bashkëkohore, kushtet e laboratorëve, mjediset e brendshme. Ka një staf njerëzish dhe kemi qenë pak, sepse administrata e rektoratit ka një numër shumë të vogël, pra janë 10-12 punonjës, dhe falë asaj pune aq intensive që kemi bërë në një kohë të shkurtër kemi mundur që sot të kemi këto mjedise që ju shikoni. Nuk kanë qenë të lehta sepse kuptohet që prokurimi publik në Republikën e Shqipërisë ka sfidat e veta. Jam shumë e lumtur për zhvillimet e fundit me futjen e inteligjencës artificiale, patjetër që duke ditur se si ta përdorim inteligjencën artificiale dhe avancimin teknologjik në avantazhin tonë, do të mundemi që të bëjmë akoma më shumë gjëra në një kohë më të shkurtër dhe, pse jo, ato ide inovative t’i çojmë përpara. Prandaj edhe jam shumë e lumtur që po kalojmë kohë këtu në këto mjedise, realisht ndiej emocion. Edhe pavarësisht se e kam lënë detyrën, ndihem gjithmonë e pashkëputur prej këtij institucioni.”

Dhe duket se ky rikthim në universitet do të marrë së shpejti një tjetër kuptim për të. Pas viteve të angazhimit në administratë dhe përfundimit të studimeve doktorale, Zegullaj synon të rikthehet në auditor, këtë herë për të ndarë dijet dhe eksperiencën e saj me studentët e Fakultetit Ekonomik.

“Në fakt, besoj se semestrin e ardhshëm do të filloj punë si pedagoge e ftuar në Fakultetin Ekonomik dhe mezi po pres.”

Florinda Zegullaj, nga studimet në Poloni te detyra e prefektes së

Por, historia e Florinda Zegullajt merr një tjetër dimension, atë njerëzor. Largimi nga Korça në moshën 19-vjeçare, studimet në një prej shkollave më të njohura të ekonomisë në Europë, puna në institucione ndërkombëtare dhe vendimi për t’u rikthyer në qytetin e saj janë pjesë e një rrugëtimi që, sipas saj, u përcaktua jo vetëm nga ambicia profesionale, por edhe nga familja dhe dëshira për të qenë pranë njerëzve të saj. Zegullaj tregon se u largua nga Korça si bursiste e shtetit shqiptar, për të studiuar në Poloni, ku u përball me sfidën e të mësuarit të një gjuhe të re dhe të ndërtimit të jetës larg familjes.

“Unë kam ikur nga Korça në moshën 19-vjeçare, si bursiste e shtetit shqiptar në Republikën e Polonisë. Kam fituar aty të drejtën e studimit në SGH Warsaw School of Economics, një nga shkollat më të mira të biznesit në të gjithë Europën. Patjetër që kanë qenë vite të bukura, sfiduese, sepse studimet i kam kryer në polonisht. Kam pasur atë ëndrrën, ne jemi rritur me ëndrrën që jashtë është më mirë. Dhe gjithmonë kam aspiruar që t’i bëja krenarë prindërit dhe kam marrë mbi vete sfidën e të mësuarit gjuhën polake që, për ne korçarët është e vështirë. Megjithatë, me punë të mirë, them se ia kam dalë.”

Në Poloni, përveç studimeve, ajo ndërtoi edhe një karrierë profesionale. Fillimisht punoi në ambasadën shqiptare, ku u angazhua në çështje konsullore që përfshinin disa vende të rajonit, ndërsa më pas punoi në kompaninë Deloitte, në sektorin e auditimit të institucioneve financiare. Por, pavarësisht mundësive profesionale, Korça mbeti vendi ku dëshironte të ndërtonte jetën e saj. Lidhja me bashkëshortin kishte nisur që në vitet e gjimnazit dhe kishte vijuar edhe gjatë periudhës së studimeve jashtë vendit. Me ardhjen në jetë të djalit, dëshira për t’u kthyer pranë familjes u bë edhe më e fortë.

“Në fakt, me bashkëshortin jam njohur që kur kam qenë këtu maturante. Jam njohur në muajt e fundit të gjimnazit, edhe që në momentin që jemi njohur nuk jemi ndarë asnjëherë, e kemi mbajtur lidhjen gjallë, pavarësisht distancës. Në kohën që isha duke kryer studimet e mia master, ka ndodhur shtatzënia me djalin, bekimi i Zotit. Por, parandjenja që diçka nuk shkonte me këtë dhe do të më duhej ndihma e familjarëve, ka qenë gjithmonë ekzistente. Prandaj, me përfundimin e studimeve, aspak nuk jam hezituar për vendimmarrje të qëndroj apo të kthehem, sepse gjithmonë Korça ka qenë vendi që më ka thirrur.”

Florinda Zegullaj, nga studimet në Poloni te detyra e prefektes së

Por vendimi për t’u kthyer në Korçë do të merrte një kuptim edhe më të thellë. Kur djali ishte rreth një vjeç e gjysmë, familja nisi të vërente shenjat e para që tregonin se zhvillimi i tij nuk po ecte siç pritej. Përballë një realiteti që nuk e njihte më parë, Florinda Zegullaj u desh të përballej me diagnozën e autizmit dhe me sfidat që ajo sillte për të birin dhe për të gjithë familjen. Ajo rrëfen se në fillim nuk kishte njohuri të mjaftueshme për çrregullimin e spektrit të autizmit, përtej fushatave ndërgjegjësuese, dhe se pranimi i diagnozës ishte vetëm hapi i parë i një rrugëtimi të gjatë. Mbështetja e familjarëve, si nga ana e saj, ashtu edhe nga familja e bashkëshortit, ka qenë vendimtare për të përballuar këtë sfidë.

“Ndoshta ka qenë ajo intuita e pagabueshme e nënës, ajo që më ka drejtuar rrugën, sepse për fat të keq, që kur djali ishte një vit e gjysmë, në vlerësimet e para ne pamë që diçka nuk shkonte me zhvillimin e tij. Unë nuk dija çfarë ishte autizmi. Patjetër kisha dëgjuar fushatat ndërgjegjësuese në datën 2 prill, por kurrsesi nuk dija se me çfarë lidhej kjo sëmundje, e në fakt nuk është sëmundje, është çrregullim neurozhvillimor. Unë falënderoj familjarët, si familjarët e mi ashtu edhe të bashkëshortit, sepse falë gjithë këtyre njerëzve, kam mundur që jo vetëm të pranoj diagnozën e djalit, të përballem me atë, por edhe të ngrihem mbi diagnozën dhe të loboj e të avokoj për gjithë ata fëmijë që e kanë të pamundur të flasin.”

Për Florinda Zegullajn, kjo përvojë nuk mbeti vetëm një çështje familjare. Ajo vendosi që përmes zërit dhe angazhimit të saj publik të përfaqësojë edhe prindërit e tjerë që përballen me të njëjtat vështirësi, veçanërisht ata që nuk kanë mundësi të bëhen pjesë e debatit publik apo të kërkojnë ndihmë në institucionet përkatëse.  Ajo thotë se me kalimin e viteve kuptoi se nevojat e fëmijëve me autizëm nuk përfundojnë me fëmijërinë. Pikërisht kjo problematikë e ka nxitur t’i bashkohet nismës “Lumturo dhimbjen”, me synimin për të rritur ndërgjegjësimin dhe për t’u bërë thirrje institucioneve shtetërore, organizatave dhe donatorëve që të kontribuojnë në krijimin e shërbimeve të qëndrueshme për këtë kategori.

“Duke qenë se unë e kuptoj shumë mirë zërin e tim djali, kam vendosur që të bëhem zëri i tij dhe jo vetëm i tij, po i gjithë fëmijëve dhe familjarëve që ndoshta nuk e kanë mundësinë të gjenden para një ekrani si ky i juaji. E pjesë e kësaj i jam bashkuar nismës së fundit ‘Lumturo dhimbjen’, sepse në kohën që djali kaloi atë moshën 10-vjeçare, ne shikonim që për fëmijët e rritur shërbimet nuk ekzistojnë. Dhe i jam bashkuar nismës për t’u bërë thirrje të gjitha institucioneve shtetërore, por ashtu edhe donatorëve, organizatave të shumta, ato qeveritare, që të kthejnë vëmendjen, sepse problematika e fëmijëve autikë nuk mbaron me fëmijërinë e tyre, zgjat për gjithë jetën.”

Florinda Zegullaj, nga studimet në Poloni te detyra e prefektes së

Si përfaqësuese e Këshillit të Ministrave në Qarkun e Korçës, Zegullaj shprehet se ka hartuar një projekt me vizionin e saj për organizimin e shërbimeve sociale për personat me çrregullime të spektrit të autizmit, që nga fëmijëria e hershme e deri në moshën e rritur. Ajo thekson se bëhet fjalë për një problematikë komplekse, ndaj edhe zgjidhjet kërkojnë bashkëpunim institucional, kohë dhe politika afatgjata. Pa dhënë premtime për rezultate përpara se ato të konkretizohen, ajo siguron se do të vijojë të punojë për këtë kauzë, duke e konsideruar një përgjegjësi që shkon përtej detyrës zyrtare.

“Jam besimplotë që qeveria shqiptare, vetë si përfaqësuese e Këshillit të Ministrave në qark, kam hartuar një projekt me atë vizionin tim se si unë i shikoj shërbimet sociale për këtë kategori individësh, duke filluar nga fëmijëria e hershme, edhe deri në fund të jetës. Kuptohet që edhe diagnoza edhe çrregullimi është kompleks, prandaj edhe zgjidhja është komplekse dhe do të duhet kohë, por nuk dua që të premtoj asnjë gjë para se të realizohet. Thjesht përfitoj nga rasti që të gjithë prindërve që më kanë besuar, t’u them që unë nuk resht asnjë ditë së punuari, jo vetëm për fëmijën tim, por për të gjithë ata fëmijë që e kanë shumë të vështirë jetën, kanë shumë të vështirë zhvillimin e potencialit të tyre në kushtet aktuale ku jetojmë. Dhe mendoj që ky nuk është problemi vetëm i Shqipërisë, ky është problem mbarëbotëror. Dhe kjo është arsyeja pse jam kthyer në Korçë.”

Përtej angazhimit për personat me çrregullime të spektrit të autizmit, Florinda Zegullaj ngre shqetësimin edhe për nevojën e riorganizimit të shërbimeve sociale për grupet e tjera në nevojë, veçanërisht për të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara. Ajo tregon se gjatë ushtrimit të detyrës si prefekte e Qarkut Korçë ka aktivizuar mekanizmin e organit këshillimor, duke mbledhur në një tryezë të përbashkët përfaqësuesit e gjashtë bashkive të qarkut, Drejtorinë e Kujdesit Social Shtetëror dhe aktorë të tjerë. Qëllimi, sipas saj, është të identifikohen nevojat dhe mangësitë aktuale, si dhe të ndërtohet një qasje e re për ofrimin e shërbimeve sociale. Zegullaj thotë se kërkesat e qytetarëve dhe kontaktet e drejtpërdrejta me të moshuarit e kanë bindur se institucionet duhet të bëjnë më shumë, në një kohë kur ndryshimet demografike, emigracioni dhe shtimi i problematikave të shëndetit mendor e neurozhvillimit kërkojnë përgjigje konkrete.

Florinda Zegullaj, nga studimet në Poloni te detyra e prefektes së

“Para pak muajsh, si prefekte e Qarkut të Korçës, kam aktivizuar një mekanizëm që dhe ligji për prefektin e njeh. Është mekanizmi i organit këshillimor, ku kam ftuar në një tryezë të rrumbullakët të gjashtë bashkitë e qarkut, kam ftuar Drejtorinë e Kujdesit Social Shtetëror, por edhe aktorë të tjerë, sepse mendoj që ka ardhur koha për rimodelimin dhe rikonceptimin e shërbimeve sociale jo vetëm për individët autikë, por edhe për moshën e tretë. Më vjen keq kur lexoj në media të moshuar që janë të vetmuar e në kohën që kam bërë vizita të të moshuarve në qendrat ditore, 'inbox'-i im ka qenë plot nga kërkesat për shërbime për këtë kategori njerëzish. Dhe e gjitha kjo më ka motivuar dhe ka iniciuar zhvillimin e këtij mekanizmi, sepse mendoj që duhet të bëjmë më shumë.”

Sipas Zegullajt, pavarësisht shërbimeve që ofrohen aktualisht nga institucionet, nevojat e qytetarëve janë më të mëdha se kapacitetet ekzistuese. Ajo bën me dije se është kryer hartëzimi i shërbimeve sociale në të gjithë qarkun, një proces që synon të evidentojë mundësitë e ofruara, por edhe boshllëqet që kërkojnë ndërhyrje. Në këtë drejtim, ajo kërkon që shërbimet sociale të marrin më shumë vëmendje në politikat publike, duke paralajmëruar se sfidat do të shtohen nëse nuk ndërmerren masa në kohë.

“Fokusi duhet të jetë te shërbimet sociale, sepse edhe plagët sociale për shkak edhe të ndryshimeve demografike, flukseve të migrimit, rritjes së problemeve neurozhvillimore të fëmijëve, rritjes së sëmundjeve që kanë të bëjnë me shëndetin mendor, pra edhe ne duhet të ecim me ritmet e statistikave. Patjetër që institucionet ofrojnë shërbime dhe ne kemi mundur që të kryejmë hartëzimin e të gjitha shërbimeve sociale të qarkut. Por, hendeqet që kemi në ofrimin e këtyre shërbimeve janë të mëdha, prandaj kjo është një kambanë alarmi. Nuk kemi kohë për të humbur. Fëmijët autikë shumë shpesh bëhen të rritur autikë. Në moshën e pleqërisë besoj se na pret të gjithëve.”

Florinda Zegullaj, nga studimet në Poloni te detyra e prefektes së

Një tjetër element që Zegullaj e sheh si mundësi për përmirësimin e shërbimeve është përfshirja e të rinjve dhe përdorimi i teknologjisë në funksion të personave që kanë më shumë nevojë për mbështetje. Ajo vlerëson se idetë inovative të të rinjve duhet të dëgjohen dhe të mbështeten, veçanërisht kur ato synojnë zgjidhje praktike për të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara. Gjatë vizitave dhe kontakteve me institucionet arsimore, përfshirë Shkollën Profesionale Teknike të Korçës, ajo thotë se është njohur me projekte që mund të shërbejnë si modele për të lehtësuar jetën e këtyre kategorive.

“Unë i kam pranë prindërit e mi dhe koha që shpenzoj me ta për fat të keq është e vogël. Prandaj duhet të mendojmë se si t’i asistojmë moshën e tretë apo personat që kanë aftësi të kufizuara. Këtu mund të përdorim edhe inteligjencën siç thashë. Kemi të rinj brilantë, inovativë, të mbështesim projektet e tyre, por të dëgjojmë idetë që kanë të rinjtë sepse patjetër që ata janë më inovativë edhe se ne, edhe pse jo na surprizojnë. Unë jam njohur edhe me projekte, këtu jemi te Shkolla Profesionale Teknike e Korçës, edhe këtu kam hasur projekte se si mund t’u vijmë në ndihmë kësaj kategorie njerëzish. Dhe pse mos ta bëjmë këtë gjë? Duhet të kemi veshë për t’i dëgjuar edhe vullnet për të vepruar.”

Intervistën me prefekten e Qarkut Korçë e përmbyllëm në zyrën ku ajo kalon pjesën më të madhe të ditës, mes përgjegjësive institucionale, takimeve dhe angazhimeve që shoqërojnë detyrën e saj. Një hapësirë pune nga ku, siç shprehet ajo, përgjegjësia për të përfaqësuar interesin publik dhe për t’iu përgjigjur pritshmërive të qytetarëve mbetet një sfidë e përditshme. Zegullaj e konsideron detyrën e prefektes një privilegj, por mbi të gjitha një përgjegjësi të madhe, veçanërisht në një periudhë kur Shqipëria vijon rrugëtimin drejt integrimit europian dhe institucionet duhet të përmbushin standarde gjithnjë e më të larta.

“Siç mund ta kuptoni, të jesh prefektja e një qarku si Qarku i Korçës është nder, është privilegj, por që lidhet me përgjegjësi të shtuar. Përgjegjësitë janë të shumta dhe puna çdo ditë patjetër është e madhe. Për pritjen me qytetarët ne kemi të dedikuar ditën e mërkurë, nga ora 09:00 deri në orën 12:00, dhe më pas rastet ndiqen në rrugë zyrtare institucionale.”

Florinda Zegullaj, nga studimet në Poloni te detyra e prefektes së

Ajo vlerëson mbështetjen e stafit të institucionit, të cilin e cilëson profesional dhe të mirëkualifikuar, por thekson se sfidat mbeten të shumta, për shkak të kërkesave në rritje të qytetarëve dhe përgjegjësive që burojnë nga procesi i integrimit europian.

“Jetojmë në një kohë që kërkesat janë të shtuara, si nga ana e qytetarëve, ashtu edhe pritshmëritë që qeveria shqiptare ka për performancën tonë. Sepse jemi në rrugën drejt integrimit të Bashkimit Europian dhe lajmi i mirë që kemi hapur të gjithë kapitujt drejt integrimit, por do të duhet një punë shumë e madhe për mbylljen e piketave për secilin prej tyre. Prandaj edhe duhet të jemi çdo ditë në lartësinë e detyrës dhe të udhëhiqemi nga interesi publik dhe jo ai personal.”

Florinda Zegullaj, nga studimet në Poloni te detyra e prefektes së

Në përfundim të intervistës, mes përgjegjësive që mbart detyra dhe sfidave që e presin institucionin, Florinda Zegullaj shpreh mirënjohjen për besimin e marrë, duke uruar që puna e saj të jetë në lartësinë e pritshmërive të qytetarëve të Qarkut Korçë.

“Unë ndihem me fat dhe e bekuar që më është besuar ky pozicion. Uroj dhe shpresoj të jem e denjë dhe në lartësinë e kësaj detyre dhe mos t’i zhgënjej qytetarët e këtij qarku. Ju falënderoj shumë për këtë intervistë dhe për këtë mundësi që më dhatë sot. Shumë mirënjohëse.”

Nga një vajzë 19-vjeçare që u largua nga Korça për të ndjekur ëndrrat e saj në Poloni, te prefektja që sot synon të kontribuojë për qytetin dhe njerëzit e saj, rrugëtimi i Florinda Zegullajt është një histori ambicieje, përkushtimi dhe sfidash personale.

Përtej detyrës publike, ajo mbart edhe misionin e një nëne që ka zgjedhur ta kthejë përvojën e saj në zë për fëmijët me autizëm dhe familjet që përballen çdo ditë me mungesën e shërbimeve. Një rrëfim ku suksesi profesional ndërthuret me përgjegjësinë njerëzore, ndërsa Korça mbetet vendi ku ajo zgjodhi të kthehej, jo vetëm për të ndërtuar të ardhmen e saj, por edhe për të kontribuuar në të ardhmen e komunitetit./ CNA





Lajmet e fundit nga