Presidenca irlandeze e Këshillit të BE-së paraqiti një draft të ri për buxhetin e Bashkimit Europian për periudhën 2028-2034, duke parashikuar kursime prej rreth 140 miliardë eurosh, ose afërsisht 8% krahasuar me propozimin fillestar të KE-së, që arrinte në rreth 2 trilionë euro. Megjithatë, kancelari gjerman Friedrich Merz e hodhi poshtë këtë kompromis dhe insiston për shkurtime shumë më të mëdha të shpenzimeve.
“Shuma e parashikuar në propozimin e ri nuk përbën bazë për një marrëveshje. Kaq nuk mjafton. Buxheti duhet të reduktohet akoma edhe më shumë”, tha Merz.
Gjermania, së bashku me Holandën, Suedinë dhe Austrinë, kërkon një buxhet më të përballueshëm, pasi këto vende kontribuojnë më shumë në buxhetin e BE-së sesa përfitojnë prej tij. Sipas tyre, barra financiare mbi taksapaguesit nuk duhet të rritet më tej.
Merz thekson se buxheti duhet të modernizohet dhe fondet të orientohen drejt prioriteteve kryesore të Europës, veçanërisht konkurrueshmërisë, kërkimit shkencor dhe mbrojtjes.
Një tjetër pikë mosmarrëveshjeje është pikërisht shpërndarja e fondeve. Propozimi irlandez parashikon reduktime në disa fusha që Gjermania dëshiron t’i forcojë, konkretisht ato për konkurrueshmërinë, kërkimin shkencor dhe mbrojtjen, ndërsa fondet për bujqësinë, zhvillimin rajonal, emigracionin dhe sigurinë e brendshme mbeten kryesisht të paprekura. Kjo nuk ik vjen për shtat kancelarit gjerman.
“Buxheti i BE-së duhet të jetë i përballueshëm për ata që mbajnë barrën kryesore të financimit. Modernizimi i buxhetit europian është një detyrë e përbashkët e të gjitha shteteve anëtarë njësoj”.
Nga ana tjetër, edhe Parlamenti Evropian e kundërshton propozimin, por për arsye të kundërta me ato të vendeve neto-paguese.
Negociatorët e tij argumentojnë se shkurtimi prej 8% do të dobësonte aftësinë e BE-së për të përballuar sfidat e ardhshme, në një kohë kur nevojiten më shumë investime në siguri, mbrojtje dhe zhvillim ekonomik.
Negociatat pritet të vazhdojnë në samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive në Bruksel. Arritja e një marrëveshjeje deri në fund të vitit mbetet e vështirë, për shkak të dallimeve mes vendeve anëtare dhe zhvillimeve të ardhshme politike në disa shtete të BE-së.













