“Mbaje kokën lart”, vajza e Eli Farës reagon në rrjete sociale pas videove intime me Adi Hilën: Mbretëresha ime e bukur

12/10/2026 15:37

Marina Fara ka publikuar në Instagram një fotografi të shoqëruar me një mesazh mbështetës, për nënën e saj Eli Fara.

Ky postim është bërë pas videove intime të kompozitorit Adi Hila, ku ishte e përfshirë edhe këngëtarja Eli Fara. Krahas fotove ajo ka dhënë edhe një mesazh mbështetjeje për nënën e saj.

“Mbaje kokën lart, mbretëreshë, dhe kurorën drejt. 👑 Mbretëresha ime e bukur 👑😍❤️”, shkruan ajo në InstaStory.

Pas publikimit të videove të saj intime në rrjetet sociale dhe bujës së madhe që u bë në gjithë opinionin publik, pak ditë më parë ka reaguar edhe vetë këngëtarja Eli Fara.

Në qëndrimin e saj ajo shprehet se nuk ndihet e turpëruar dhe ashtu duhet të ndihen ata që shpërndanë dhe publikuan ato pamje.

“Po përjetoj një dhimbje që nuk ia uroj asnjë gruaje: cenimin e privatësisë dhe përballjen me gjykime e fyerje që prekin edhe familjen time”, shkruan ajo.

Artistja ngre shqetësimin për mënyrën sesi gratë përballen me gjykimet e shoqërisë, duke theksuar se shpesh u kërkohet të mbajnë mbi supe edhe turpin e veprimeve që kryhen kundër tyre.

“U cenojnë privatësinë dhe pastaj u kërkojnë të japin llogari. I lëndojnë dhe pastaj i gjykojnë për mënyrën si e përballojnë dhimbjen. Asnjë grua nuk duhet të kalojë nëpër këtë poshtërim”, shprehet ajo.

Në vijim, ajo thotë se këtë çështje do t’ia lërë drejtësisë dhe i bën thirrje publikut për “njerëzillëk” dhe ndalim të shpërndarjes së materialeve që mund të thellojnë dhimbjen e një personi dhe familjes së tij.

“Përpara çdo gjykimi, mendoni për njeriun dhe familjen që po lëndoni”, shkruan ajo.

Në fund të reagimit, artistja falënderon familjen, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur publikisht apo privatisht, duke theksuar se dashuria dhe mirëkuptimi i tyre i japin forcë për të vijuar përpara “me dinjitet dhe me kokën lart”.

Në deklaratën e saj të parë për policinë, jo është shprehur se Adi Hila nuk është personi që i ka publikuar videot dhe se as ajo s’kishte dijeni për kamerat.

“Adi Hila nuk është personi që ka shpërndarë videot dhe unë nuk kisha dijeni për kamerat e vendosura në banesë”, ka thënë Eli Fara.

Adi Hila pas publikimit të kamerave ka bërë kallëzim me pretendimin se është hakeruar, ndërsa kallëzim ka bërë edhe këngëtarja Eli Fara, me pretendimin për shkelje të privatësisë.

Mbi bazën e këtyre dy kallëzimeve, çështja lidhet me disa vepra penale, konkretisht hyrjen e paautorizuar kompjuterike, sipas kallëzimit të Hilës, si dhe përgjimin e paligjshëm të të dhënave kompjuterike dhe keqpërdorimin e pajisjeve kompjuterike, sipas kallëzimit të Eli Farës.

Të enjten e kaluar vetë aktorja Monika Lubonja ka bërë me dije se ka ngritur kallëzim penal ndaj Adi Hilës.

Për këtë rrethanë, Hila ka deklaruar se e kishte shkatërruar vetë hard-diskun. Sipas tij, arsyeja ishte se nuk ishte i sigurt se nga vinte ndërhyrja dhe kishte frikë se mund të ndërhynin sërish dhe të merrnin të dhëna në distancë.

Top Channel