Zjarrin në fushën e mbetjeve në Bulqizë e Klos nuk e fik as shiu

Situata me zjarrin që ka përfshirë prej më shumë se një jave fushën e mbetjeve të Bashkive Bulqizë e Klos mbi fshatin Plan i Bardhë mbetet po e njëjta.
As reshjet e shirave të rëna ditët e fundit nuk e kanë fikur zjarrin që ka përfshirë grumbujt e grumbulluar ndër vite me mbetje plastike etj.
Sasia e madhe e mbetjeve të akomuluara aty ndër vite ka bërë që zjarri të djegë mbetjet plastike deri në thellësi duke e bërë thuajse të pamundur shuarjen e flakëve nga ndërhyrjet e mjeteve zjarrfikëse por edhe të reshjeve të shiut të rëna gjatë fundjavës.
Situata mbetet shqetësuese edhe për faktin se tymi vijon të mbulojë zonën dhe të shkaktojë ndotje të rëndë të ajrit.
Një mjet po punon prej ditësh për t’i mbuluar me dhera por deri tani nuk ka mundur dot të ndalë djegien e mbetjeve që janë depozituar aty nga të dyja bashkitë Bulqizë e Klos të cilat e kanë si venddepozitim të përbashkët.
Nga ana tjetër banorët dhe drejtuesit e mjeteve vazhdojnë të shprehin shqetësim për elementët e dëmshëm që shpërndahen nga djegia e këtyre mbeturinave të cilat përbëjnë rrezik për shëndetin.




