Marina Fara ka ndarë me ndjekësit në Instagram një fotografi të nënës së saj, këngëtares Eli Fara, duke e shoqëruar me një mesazh mbështetës.
Të lidhura
None found
Postimi erdhi pasi në rrjet u shpërndanë video intime të kompozitorit Adi Hila, në të cilat përfshihej edhe këngëtarja Eli Fara. Në InstaStory, Marina shkruan: “Mbaje kokën lart, mbretëreshë, dhe kurorën drejt. 👑 Mbretëresha ime e bukur 👑😍❤️”.

Disa ditë më parë, pas bujës së madhe që shkaktuan pamjet intime në opinionin publik, ka reaguar edhe vetë Eli Fara.
Ajo është shprehur se nuk ndihet e turpëruar dhe se turpi, sipas saj, u përket atyre që i shpërndanë dhe i publikuan ato pamje.
“Po përjetoj një dhimbje që nuk ia uroj asnjë gruaje: cenimin e privatësisë dhe përballjen me gjykime e fyerje që prekin edhe familjen time”, shkruan artistja.
Më tej, Eli Fara ngre shqetësimin për mënyrën si shoqëria i gjykon gratë, duke theksuar se shpesh atyre u kërkohet të mbajnë mbi supe edhe turpin e veprimeve që kryhen kundër tyre.
“U cenojnë privatësinë dhe pastaj u kërkojnë të japin llogari. I lëndojnë dhe pastaj i gjykojnë për mënyrën si e përballojnë dhimbjen. Asnjë grua nuk duhet të kalojë nëpër këtë poshtërim”, është shprehur ajo.
Këngëtarja bën të ditur se çështjen do t’ia besojë drejtësisë, ndërsa i bën thirrje publikut për njerëzillëk dhe për ndalimin e shpërndarjes së materialeve që mund të thellojnë dhimbjen e një personi dhe familjes së tij.
“Përpara çdo gjykimi, mendoni për njeriun dhe familjen që po lëndoni”, thotë ajo.
Në fund të reagimit, ajo falënderon familjen, miqtë, kolegët dhe gjithë ata që e kanë mbështetur publikisht ose privatisht, duke theksuar se dashuria dhe mirëkuptimi i tyre i japin forcë të ecë përpara “me dinjitet dhe me kokën lart”.
Në dëshminë e saj të parë në polici, Eli Fara ka deklaruar se Adi Hila nuk është personi që i ka shpërndarë videot dhe se ajo nuk kishte dijeni për kamerat e vendosura në banesë.
“Adi Hila nuk është personi që ka shpërndarë videot dhe unë nuk kisha dijeni për kamerat e vendosura në banesë”, ka thënë Eli Fara.
Pas publikimit të pamjeve të kamerave, Adi Hila ka bërë kallëzim duke pretenduar se i janë hakuar pajisjet, ndërsa Eli Fara ka kallëzuar për shkelje të privatësisë.
Mbi bazën e këtyre dy kallëzimeve, hetimet lidhen me disa vepra penale: hyrjen e paautorizuar kompjuterike, sipas kallëzimit të Hilës, si dhe përgjimin e paligjshëm të të dhënave kompjuterike dhe keqpërdorimin e pajisjeve kompjuterike, sipas kallëzimit të Eli Farës.
Të enjten e kaluar, aktorja Monika Lubonja njoftoi se ka depozituar kallëzim penal ndaj Adi Hilës.
Lidhur me këtë, Hila ka thënë se e kishte shkatërruar vetë hard-diskun e kamerës që regjistroi pamjet, ngaqë nuk ishte i sigurt se nga vinte ndërhyrja dhe kishte frikë se mund të ndodhte një tjetër ndërhyrje për të marrë të dhëna në distancë.
Ndërkohë, çështja e Adi Hilës i ka kaluar prokurorisë pas hedhjes së shortit.






