Gjykata e Fierit ka vendosur të shpallë të parashkruar dënimin me 25 vite burg të Sokol Hoxhës, i dënuar për vrasjen e dy vëllezërve Ilirjan dhe Hektor Banaj në Patos, në mars të vitit 1997.
Vendimi është marrë nga gjyqtarja Aurora Tusha, në përputhje me kërkesën e prokurores së çështjes, Malbora Dinaj. Sipas organit të akuzës, afatet ligjore për ekzekutimin e dënimit penal kanë përfunduar, pasi kanë kaluar më shumë se 20 vite nga koha e përcaktuar në ligj për parashkrimin.
Në seancën e zhvilluar javën e kaluar, gjykata vendosi ta shtynte shqyrtimin deri më 12 tetor, për të marrë një mendim nga Gjykata e Lartë lidhur me kërkesën e 51-vjeçarit për konstatimin e parashkrimit të dënimit.
Kërkesa e Hoxhës, e paraqitur vetëm disa javë pas ekstradimit të tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkaktoi reagime për shkak të natyrës së rëndë të krimit për të cilin ishte dënuar. Megjithatë, vendimi i Gjykatës së Fierit nuk nënkupton se ai do të lirohet nga burgu.
Burime nga IEVP Fier kanë bërë të ditur për Top Channel se Hoxha do të vijojë të qëndrojë në qeli, pasi ndaj tij rëndon edhe një dënim me burgim të përjetshëm i dhënë nga drejtësia belge.
Në Belgjikë, ai është dënuar për vrasjen me paramendim të Brunilda Dervishit, e cila u vra më 29 gusht 1997 në Bruksel. Sipas hetimeve, viktima dyshohej se shfrytëzohej për prostitucion dhe vrasja lidhej me kundërshtimin e saj ndaj kësaj situate.
Për vrasjen e dy vëllezërve Banaj, Gjykata e Fierit e dënoi Hoxhën me 25 vite burg në vitin 2000. Ngjarja kishte ndodhur pranë tregut të fruta-perimeve në Patos dhe, sipas raportimeve të kohës, dyshohet se konflikti që përfundoi në tragjedi nisi për shkak të një debati lidhur me një kasetofon makine.
Pas krimit, Hoxha u largua fillimisht drejt Greqisë dhe më pas u vendos në Belgjikë, duke qëndruar për vite me radhë jashtë Shqipërisë.
Ai u arrestua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në muajin maj, në kuadër të operacionit të koduar “Globi”, të realizuar përmes bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare, belge dhe amerikane. Më 6 gusht, ai u ekstradua në Shqipëri dhe u dërgua në burgun e Fierit për të vuajtur dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare.
Pavarësisht vendimit të fundit për parashkrimin e dënimit në Shqipëri, dënimi me burgim të përjetshëm i dhënë në Belgjikë mbetet arsyeja për të cilën Hoxha nuk pritet të lirohet, sipas burimeve të cituara nga Top Channel.


