Rajoni

Deklarata e Daçiç për flamurin serb mbi Prizren, Kurti i shmanget: I ka dhënë deklarimet ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka komentuar drejtpërdrejt deklaratën e zëvendëskryeministrit serb, Ivica Daçiç, se flamuri serb “herët a vonë do të valëvitet mbi Prizren”.

Kurti iu referua qëndrimit të ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, i cili ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarit serb.

“Ka dhënë deklarimet ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, më duhet të shkoj për 20 minuta”, u shpreh Kurti.

Deklarata e Daçiç u bë gjatë një tubimi zgjedhor në Rashkë, ku ai tha se flamuri serb do të valëvitet “herët a vonë” mbi Prizrenin, qytetin që e cilësoi si vendlindjen e tij.

Gjatë fjalës së tij, Daçiç përsëriti gjithashtu qëndrimin kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke deklaruar se partia e tij nuk do ta njohë atë. Ai pretendoi se, nëse merr besimin e qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme, edhe 20 shtete të tjera do ta tërheqin njohjen e Kosovës.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, i cili i ka cilësuar ato si dëshmi të ambicieve territoriale të Serbisë ndaj Kosovës.

Konjufca i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të dënojë deklaratat, të cilat, sipas tij, ngrenë shqetësime për qëndrimet e Serbisë ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës.

 

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.