Ferit Hoxha: Shqipëria po avancon me Muzeun e Besës në Tiranë dhe Muzeun Hebraik në qytetin e Vlorës

12 Tetor 2026, 16:31Kulturë TEMA
Ferit Hoxha: Shqipëria po avancon me  Muzeun e Besës në

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë një deklarate të përbashkët me homologun izraelit, Gideon Sa’ar, theksoi angazhimin e Shqipërisë për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme, si dhe forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Izraelit.

Hoxha u ndal te historia e popullit hebre, persekutimi ndër shekuj dhe tragjedia e Holokaustit, duke theksuar se krijimi i Shtetit të Izraelit lidhet me aspiratën e këtij populli për të jetuar në siguri dhe dinjitet.

Duke iu referuar sulmeve të 7 tetorit dhe zhvillimeve që pasuan, ministri nënvizoi se dhuna dhe konfliktet kanë shkaktuar humbje të shumta jetësh të pafajshme, si në Izrael, ashtu edhe në Palestinë.

“Pak popuj në histori kanë përjetuar vuajtje, persekutim dhe tragjedi aq të mëdha sa populli hebre. Përgjatë shekujve, e deri në tmerret e Holokaustit, ai përjetoi një nga kapitujt më të errët të historisë së njerëzimit. Krijimi i Shtetit të Izraelit lindi nga kjo histori e dhimbshme dhe nga aspirata e një populli për të jetuar në siguri dhe dinjitet në atdheun e tij historik. Megjithatë, historia e Izraelit është shënuar gjithashtu nga luftëra, konflikte, pasiguri dhe humbje të përsëritura, të cilat kanë sjellë dhimbje dhe vuajtje për jetë të panumërta të pafajshme në mbarë rajonin. Sulmet brutale terroriste të 7 tetorit, masakra e përmasave të tmerrshme ndaj njerëzve të pafajshëm, në shtëpitë e tyre, në rrugë dhe në makinat e tyre, si dhe ngjarjet shkatërrimtare që pasuan, janë një kujtesë e fortë si e brishtësisë së paqes, ashtu edhe e rëndësisë themelore të sigurisë”, tha Hoxha.

Hoxha tha se Shqipëria është bërë anëtare themeluese e Bordit të Paqes dhe ka vendosur të kontribuojë në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit, në mbështetje të sigurisë, stabilitetit dhe përpjekjeve humanitare në Gaza.

“Asnjë komb nuk mund të pritet të pranojë kërcënimin e terrorizmit ndaj qytetarëve të tij, ashtu siç nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme mes pasigurisë, dhunës dhe frikës së përhershme. Vuajtjet e jashtëzakonshme që kanë vijuar që atëherë kanë marrë shumë jetë të pafajshme dhe kanë lënë plagë të thella si te izraelitët, ashtu edhe te palestinezët. Ato kanë përforcuar nevojën urgjente për të garantuar, para së gjithash, sigurinë e Izraelit, por edhe për të bërë çdo përpjekje të mundshme në funksion të një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.

“Në këtë këndvështrim, Shqipëria, nën drejtimin e Kryeministrit Rama, u bë anëtare themeluese e Bordit të Paqes dhe vendosi të kontribuojë në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit, duke dëshmuar angazhimin tonë për të mbështetur stabilitetin, sigurinë dhe përpjekjet humanitare në Gaza. Sfida përpara bashkësisë ndërkombëtare është, pra, të ndihmojë në krijimin e kushteve që si izraelitët, ashtu edhe palestinezët, të mund të jetojnë në siguri, dinjitet dhe shpresë, të çliruar nga ciklet e dhunës që kanë shkaktuar kaq shumë dhimbje brez pas brezi”, tha ministri.

Sipas tij, për Shqipërinë, historia e popullit hebre ka një domethënie të veçantë.

“Në një nga orët më të errëta të njerëzimit, shqiptarët hapën dyert e shtëpive dhe zemrat e tyre, mirëpritën dhe mbrojtën familjet hebreje dhe u siguruan që ata që kërkuan strehim të gjenin mbrojtje, siguri dhe dinjitet. Ndjeva krenari që pata mundësinë t’ju tregoja disa dokumente të asaj kohe, shumë prej të cilave mbetën kryesisht të panjohura për publikun deri vetëm disa dekada më parë”, u shpreh Hoxha.

Ai e cilësoi këtë trashëgimi një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë kombëtare, të mishëruar në traditën shqiptare të besës, mikpritjes dhe solidaritetit.

“Ky mbetet një nga kapitujt më krenarë të historisë sonë kombëtare dhe një dëshmi e fuqishme e vlerave tona të humanizmit, solidaritetit dhe respektit për jetën. Ne e kemi përmbledhur këtë qëndrim në një fjalë të vetme: BESA — fjala e dhënë, premtimi që mbahet”, tha ai.

Sipas tij, këto lidhje, të farkëtuara në kohë vështirësish dhe të udhëhequra nga guximi moral, vazhdojnë edhe sot të përbëjnë një themel të fortë për miqësinë dhe mirëkuptimin në rritje ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit.

Në këtë kuadër, nënvizoi më tej Hoxha “e informova Ministrin se, për ta mbajtur gjallë këtë kujtesë, Shqipëria po avancon me dy projekte të rëndësishme: Muzeun e Besës në Tiranë dhe Muzeun Hebraik në qytetin e Vlorës”.

“Këto institucione do të shërbejnë si qendra edukimi dhe kulture, duke kremtuar lidhjet historike mes popujve tanë dhe duke vlerësuar praninë e vazhdueshme dhe kontributin e komunitetit hebre në shoqërinë shqiptare”, tha Hoxha. A.K./TemA

Lini një Përgjigje