Shtyhet seanca gjyqësore ndaj ish-zyrtarëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), ku të pandehur janë Evis Berberi dhe 20 persona të tjerë.

Shkak për shtyrjen e seancës u bë mungesa e disa avokatëve mbrojtës, të cilët nuk u paraqitën në gjykatë për shkak të bojkotit kundër rregullores së re të GJKKO-së. Për këtë arsye, gjykata vendosi t’i gjobisë avokatët mbrojtës me nga 50 mijë lekë të reja.

Në seancë ishin të pranishëm edhe Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, të cilët janë gjithashtu të akuzuar në këtë dosje. Ata dolën nga ambientet e GJKKO-së pak minuta më parë.

Procesi gjyqësor ndodhet në fazën e paraqitjes së pretendimeve të mbrojtjes, në kuadër të konkluzioneve përfundimtare. Ndërkohë, në konkluzionet përfundimtare, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar në total 50 vite e 6 muaj burg për të pandehurit.

Për Gentian Gjylin dhe ish-drejtorin e KESH, Erald Elezin, Prokuroria kërkon që të shpallen fajtorë për shkelje të barazisë në tendera në një rast dhe të dënohen respektivisht me nga një 1 vit e 6 muaj burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar u konvertohet në një vit burgim.

Gjyli dhe Elezi së bashku me Evis Berberin janë të vetmit për të cilët nuk është kërkuar pezullim dënimi, pasi siç duket SPAK ka mbajtur parasysh edhe përfshirjen e të treve në dosjen e bujshme të ish zv. Kryeministres Balluku. Të tre janë të pandehur dhe me masë sigurie për tunelin e Logarasë dhe të dyshuar për tendera të tjerë.

Kujtojmë se SPAK ka kërkuar gjithsej 50 vite e 6 muaj burg për 21 të pandehur të dosjes së njohur si “ARRSH” me të pandehur kryesor ish kreun e Autoritetet Rrugor Shqiptar Evis Berberi dhe ish zyrtarë të tjerë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës, në kohën kur drejtohej nga Belinda Balluku.


Lajmi kryesor:

Bojkoti ndaj rregullores ‘paralizon’ GJKKO-në, s’ka gjyqe prej shtatorit! Gjobiten me 20 mijë lekë të rinj avokatët e fraksionit së dosjes ‘Meta’, me 50 mijë të rinj ata të ARRSH-së! ‘Falen’ mbrojtësit e ‘Partizanit’