Goxhobelli kundër Dules: Pretendimet për pronat në Himarë nuk pasqyrojnë realitetin
Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, ka hedhur poshtë pretendimet e deputetit Vangjel Dule se institucioni po pengon qëllimisht regjistrimin e banesave në lagjen “Kala” të Himarës dhe se pas procesit fshihet një skemë për grabitjen e pronave.
Goxhobelli deklaroi se Kadastra po punon derë më derë për të trajtuar problematikat e dokumentacionit të pronësisë, në përputhje me ligjin.
“Kadastra nuk ka qëllim t’i marrë pronën askujt. Ka vetëm një detyrë: të ndihmojë qytetarët të zgjidhin problemet e tyre të pronësisë, në përputhje me ligjin”, u shpreh ajo, duke ftuar Dulen të paraqesë fakte konkrete.
Sipas drejtoreshës së ASHK-së, procesi mbështetet në deklarimet e qytetarëve dhe verifikimet në terren, ndërsa të dhënat për dosjet do të publikohen online për të garantuar transparencën.
“Të drejtat e pronësisë nuk mbrohen me akuza dhe insinuata, por me fakte, transparencë dhe zbatim të ligjit”, përfundoi Goxhobelli.

