
Pronari i banesës së grabitur me forcë, Lorenc Zerellari ka treguar se në shtëpi mbante rreth 30 mijë euro, para që, sipas tij, i kishte siguruar nga puna jashtë vendit.
“Kam punuar në të zezë. Edhe policia më tha: ‘Pse ti me gjithë këto para?’. 30 mijë euro i kam siguruar nga puna jashtë. Nënës sime i ka rënë katër herë të fikët”, ka rrëfyer ai për mediat.
Pas marrjes së njoftimit për ngjarjen, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje. Me të konstatuar praninë e efektivëve, pesë personat e dyshuar janë larguar drejt një zone kodrinore, duke përfituar nga errësira, ndërsa kanë braktisur automjetet me të cilat dyshohet se kishin mbërritur në banesë.
Në vijim të veprimeve hetimore, policia ka sekuestruar dy automjetet që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjes, si dhe veshje të ngjashme me uniformat e Policisë së Shtetit.
Në vendngjarje janë mbledhur edhe prova të tjera, të cilat pritet të ndihmojnë hetuesit në identifikimin e autorëve dhe në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Aktualisht, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e pesë personave të dyshuar, ndërsa grupi hetimor po kryen veprimet e nevojshme për dokumentimin e plotë të rastit./Versus.al

