Shkoi në spital për një kyç të thyer të këmbës, 21-vjeçarja humb jetën pas mbidozës së qetësuesve, familja ngre padi

12/10/2026 17:33

Një 21-vjeçare nga Nju Jorku ka humbur jetën pasi shkoi në spital për të marrë trajtim për një frakturë në kyçin e këmbës. Familja e saj pretendon se e reja ndërroi jetë si pasojë e administrimit të një sasie të tepërt medikamentesh kundër dhimbjes, sipas një padie të ngritur ndaj spitalit në Connecticut, SHBA.

Dale Alice Martin u paraqit në Waterbury Hospital më 10 prill 2025, pasi kishte thyer kyçin e këmbës gjatë punës në një fermë. Por, sipas dokumenteve gjyqësore, trajtimi që mori në spital rezultoi fatal.

Familjarët pretendojnë se personeli mjekësor i jepte asaj disa medikamente kundër dhimbjes, të cilat i shkaktuan vështirësi në frymëmarrje. Sipas padisë, gjendja e saj u përkeqësua pa u konstatuar në kohë nga stafi mjekësor.

Autopsia përcaktoi se vdekja e 21-vjeçares erdhi si pasojë e arrestit kardiak, ndërsa padia e paraqitur nga avokati i familjes, Christopher Mattei, ngre pretendime për neglizhencë në kujdesin shëndetësor.

“Brenda 14 orëve nga shtrimi, personeli i spitalit i kishte dhënë Dale aq shumë medikamente kundër dhimbjes, saqë ajo ndaloi së marri frymë dhe më vonë ndërroi jetë”, thuhet në padi.

Sipas dokumenteve gjyqësore, medikamentet jo vetëm që po ndikonin në frymëmarrjen e saj, por e kishin bërë edhe të përgjumur, duke e penguar të kërkonte ndihmë. Padia pretendon se infermierja e kontrolloi pacienten vetëm rreth orës 07:00 të mëngjesit, kur zemra e saj kishte ndaluar së rrahuri.

Babai i të resë, Lindsay Martin, tha për Hartford Courant se familja nuk ishte në dijeni të problemeve financiare dhe organizative me të cilat përballej spitali në momentin kur vajza e tyre u dërgua atje.

“Ne nuk e dinim deri pas vdekjes së Dale-s se ajo ishte shtruar në një spital në falimentim, që ishte nën hetim dhe ku, sipas pretendimeve, infermierët po blinin ushqime për pacientët. Financimi ishte aq i kufizuar sa spitali mund të mos kishte qenë në gjendje të funksiononte siç duhej”, u shpreh ai.

Sipas babait, vajza nuk kishte pasur mundësi të zgjidhte një spital tjetër, pasi ishte dërguar në institucionin më të afërt.

Dale Martin ishte me banim në Bethlehem, Connecticut, kishte ndjekur shkollën e mesme në Pelham, në Westchester County, Nju Jork, dhe studionte për anglisht dhe histori në Trinity University, në San Antonio të Teksasit.

Waterbury Hospital ishte për një kohë të gjatë në pronësi të kompanisë Prospect Medical Holdings, me seli në Kaliforni, e cila shpalli falimentimin në janar 2025. Në fillim të këtij viti, institucioni shëndetësor kaloi në pronësi të UConn Health.

Avokati i familjes, Christopher Mattei, pretendon se problemet financiare të kompanisë së mëparshme mund të kenë ndikuar në funksionimin e spitalit, përfshirë infrastrukturën, numrin e punonjësve dhe trajnimin e personelit.

“Ne presim të zbulojmë se spitali po funksiononte me burime minimale, si pasojë e çmontimit të infrastrukturës nga Prospect, reduktimit të stafit dhe mënyrave të ndryshme për të nxjerrë përfitime financiare nga institucioni, duke vënë në rrezik kujdesin ndaj pacientëve”, deklaroi Mattei.

Një përfaqësues i spitalit refuzoi të komentonte mbi çështjen, duke argumentuar se vdekja e 21-vjeçares kishte ndodhur përpara se institucioni të kalonte në pronësinë e re.

Çështja pritet të hedhë dritë mbi rrethanat e vdekjes së të resë dhe mbi pretendimet e familjes për përgjegjësinë e personelit mjekësor dhe gjendjen e spitalit në kohën e ngjarjes. Pretendimet e ngritura në padi mbeten për t’u shqyrtuar në procesin gjyqësor.

Top Channel