Banorët e fshatit Fushë-Buall në Elbasan kanë zhvilluar ditën e sotme një protestë para ambienteve të Bashkisë, pasi po përballen me probleme me ujin e pijshëm.
Kjo pasi, 92 familje prej katër muajsh nuk kanë ujë në çezmat e banesave si pasojë e dëmtimit të burimeve natyrore gjatë punimeve për ndërtimin e një hidrocentrali nga kompania koncesionare “Egnatia Hydropower”, me pronar Paqsor Buzin.
Banorët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për rikthimin e furnizimit me ujë dhe zgjidhjen e situatës e cila, sipas tyre, po rëndon jetesën e përditshme.
Në protestë ishte e pranishme edhe këshilltarja bashkiake e Partisë Demokratike, Bianka Çopja.
Ajo akuzoi Bashkinë për neglizhencë ndaj shqetësimeve të banorëve, teksa deklaroi se janë dërguar dy kërkesa në Bashkinë e qytetit lidhur me këtë problematikë, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje apo zgjidhje.
“Sot jam bashkë me banorët e fshatit Fushë Buall, në lidhje me problematikën e ujit të pijshëm. Kanë kaluar më tepër se katër muaj tashmë, kjo problematikë nuk është zgjidhur. Pavarësisht kërkesave që janë dërguar në Bashkinë Elbasan. Banorët kanë ardhur vetë sot për të marrë një përgjigje se cfare po ndodh dhe cfarë duhet bërë. Kam shkuar vetë në fshat dhe kam verifikuar se kjo problematikë ekziston. Kërkesa e parë që kam dërguar ka qënë në datë 8 shtator, jemi në tetor dhe asnjë përgjigje nuk ka ardhur. Kërkesa e dytë është dërguar në datën 1 tetor bashkë me firmat e banorëve dhe ndërkohë asnjë përgjigje nuk ka ardhur deri më sot”,- u shpreh Çopja ndër të tjera.













