Gjykata e Fierit pranon kërkesën e Sokol Hoxhës për parashkrimin e dënimit për vrasjen e dy vëllezërve në Patos
Gjykata e Fierit ka pranuar kërkesën e Sokol Hoxhës për parashkrimin e dënimit penal prej 25 vitesh burg, për vrasjen e dy vëllezërve Hektor dhe Ilirjan Banaj në Patos, ngjarje e ndodhur në mars të vitit 1997.
Vendimi u dha këtë të hënë nga gjyqtarja Aurora Tusha, në përputhje me kërkesën e prokurores së çështjes, Malbora Dinaj. Sipas argumentimit të organit të akuzës, dënimi ndaj Hoxhës është parashkruar, pasi kanë kaluar afatet e përcaktuara në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale.
Në seancën e javës së kaluar, gjyqtarja Tusha kishte vendosur ta shtynte shqyrtimin deri më 12 tetor, për të kërkuar mendimin e Gjykatës së Lartë lidhur me kërkesën e 51-vjeçarit për konstatimin e parashkrimit të dënimit, pas kalimit të afatit 20-vjeçar.
Megjithatë, vendimi i Gjykatës së Fierit nuk do të sjellë lirimin e Sokol Hoxhës nga burgu. Burime nga IEVP Fier kanë bërë të ditur se ai do të vijojë të qëndrojë i izoluar, pasi kërkohet nga autoritetet belge dhe është dënuar me burgim të përjetshëm në Belgjikë për një tjetër vrasje.
Hoxha është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e B.D, e ndodhur më 29 gusht 1997 në Bruksel. Sipas hetimeve, viktima dyshohej se ishte shfrytëzuar për prostitucion dhe vrasja ndodhi pasi ajo kishte kundërshtuar këtë shfrytëzim. Vendimi ndaj Hoxhës në Belgjikë ka marrë formë të prerë në vitin 2010.
Në Shqipëri, Hoxha u dënua me 25 vite burg nga Gjykata e Fierit në vitin 2000, për vrasjen e vëllezërve Ilirjan dhe Hektor Banaj, pranë tregut të fruta-perimeve në Patos. Sipas raportimeve të kohës, konflikti që përfundoi me vrasjen e dy vëllezërve dyshohet se nisi për shkak të një debati për një kasetofon makine.
Pas ngjarjes, Hoxha u largua fillimisht drejt Greqisë dhe më pas u vendos në Belgjikë. Ai u arrestua në muajin maj në Ohio të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas një arratie prej gati tri dekadash, gjatë së cilës jetonte me identitetin Hysen Gashi.

Arrestimi u realizua në kuadër të operacionit të koduar “Globi”, falë bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese shqiptare, belge dhe amerikane. Më 6 gusht, Hoxha u ekstradua në Shqipëri dhe u dërgua në burgun e Fierit për të vuajtur dënimin prej 25 vitesh burgim.
Pas mbërritjes në Shqipëri, ai kërkoi konstatimin e parashkrimit të dënimit penal, me argumentin se kishte kaluar afati ligjor. Gjykata e Fierit e pranoi kërkesën, ndërsa Prokuroria ishte dakord me të.

Trafik droge drejt Greqisë, dënohet me 7,4 vite burg ish-zv/drejtori i Kufirit në Korçë
I dënuar me 2 vjet burg për fshehje pasurie, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla kërkon pushimin e çështjes në GJKKO
Forumi Strategjik i Ballkanit/ Shqipëria dhe Greqia, partneritet për më shumë investime, siguri dhe integrim europian
- 17:37 Trafik droge drejt Greqisë, dënohet me 7,4 vite burg ish-zv/drejtori i Kufirit në Korçë
- 17:26 Zelensky: Rusia nuk po respekton armëpushimin për infrastrukturën energjetike, sulmet ndaj Ukrainës vazhdojnë
- 17:22 “Flamuri serb do valëvitet në Prizren”, Daçiç sërish deklarata provokuese: Kosovën e mbrojtëm me luftë
- 17:10 BE, masa kundër platformave që synojnë të transmetojnë ekzekutimin e të dënuarit në SHBA
- 16:59 Humbja në derbi dhe rezultatet zhgënjyese, Partizani ndërpret bashkëpunimin me trajnerin Bratu
- 16:52 Studimi: Inteligjenca artificiale dhe lufta bërthamore, kërcënimet që mund t’i japin fund njerëzimit deri në vitin 2100