• Kontakt
Monday, October 12, 2026
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Botërori 2026
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Botërori 2026
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi RAJONI

BE pothuajse jashtë fushatës zgjedhore në Serbi

18:19 : 12/10/2026
në RAJONI

Dikur ishte një nga temat kryesore që përcaktonte fituesit dhe humbësit e zgjedhjeve.

Por, një dekadë e gjysmë më vonë, marrëdhëniet me Bashkimin Evropian nuk janë më ndër mesazhet kryesore të fushatës zgjedhore në Serbi, ndonëse ajo e ka statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.

Në një vend që dikur ishte ndër më të avancuarit në procesin e integrimit evropian, por që tani është ndër më të prapambeturit, vetëm një listë zgjedhore e ka BE-në në qendër të programit të saj.

Lista “Serbia evropiane”, e përbërë kryesisht nga Partia për Liri dhe Drejtësi e Dragan Gjillasit dhe Partia Zemra (Srce) e Zdravko Ponoshit, e ka përqendruar fushatën në nevojën për anëtarësim në BE.

Për partitë e tjera, përfshirë ato në pushtet, integrimi evropian nuk është temë kryesore e fushatës. Serbia, përndryshe, nuk ka hapur asnjë kapitull të ri në negociatat e anëtarësimit me BE-në gjatë pesë vjetëve të fundit.

Lexo edhe:

BE shënjestron industrinë ushtarake ruse, miratohen 1600 sanksione ndaj Moskës

Sherr mes Gjermanisë e Irlandës, Merz nuk pranon propozimin e buxhetit të BE-së

Kjo ngecje lidhet me refuzimin e Serbisë për t’iu bashkuar sanksioneve që BE-ja vendosi ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës, si dhe me përkeqësimin e gjendjes së sundimit të ligjit.

Si pasojë, Serbia nuk është përfshirë as në udhërrëfyesit orientues, të cilët Komisioni Evropian po i përgatit për vendet më të avancuara në këtë proces.

Në mesin e tyre janë: Mali i Zi, Shqipëria, Ukraina dhe Moldavia.

Qytetarët e Serbisë do t’u drejtohen kutive të votimit më 25 tetor, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Shpalljes së zgjedhjeve u paraprinë disa muaj protestash masive, gjatë të cilave u kërkua përgjegjësi për shembjen e një strehe betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona.

Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është në garë për postin e kryeministrit. Ai udhëheq Listën “Serbia e bashkuar” të Partisë Përparimtare Serbe.

Kjo parti, së bashku me partnerët e saj të koalicionit, ka qenë në pushtet gjatë 14 vjetëve të fundit. Vuçiç thotë se, nëse kjo listë fiton zgjedhjet, Serbia do të vazhdojë të ndjekë një “politikë të pavarur dhe sovrane, që nënkupton rrugën drejt Evropës, por edhe mbrojtjen e interesave kombëtare”.

Kur shpalli zgjedhjet, ai vlerësoi se Serbia kishte zgjedhur “rrugën e duhur evropiane, duke ruajtur miqësitë tradicionale, krenarinë dhe dinjitetin kombëtar”.

Gjatë dekadës së fundit, Vuçiç ka ndjekur një politikë balancimi mes Perëndimit dhe Lindjes.

Megjithëse ka përsëritur se Serbia është në rrugën e integrimit evropian, viteve të fundit ai e ka intensifikuar bashkëpunimin me Kinën, pa hequr dorë nga lidhjet me Rusinë.

“Vuçiç nuk flet shumë për BE-në, sepse kjo temë nuk i përshtatet. Janë pikërisht ata që e kanë ndalur procesin e integrimit evropian të Serbisë”, thotë për Radion Evropa e Lirë politologu dhe profesori universitar serb, Dushko Radosavleviç.

Serbia nuk ka hapur asnjë grup të ri kapitujsh në negociatat e anëtarësimit me BE-në që nga dhjetori i vitit 2021.

As në programin e rivalit kryesor të Vuçiqit, Listës studentore “Studentët fitojnë”, anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian nuk përmendet si synim.

Programi i kësaj liste përmban 11 pika, mes të cilave luftën kundër korrupsionit, pavarësinë e gjyqësorit, reformën e policisë dhe lirinë e mediave.

Përfaqësuesit e Listës studentore thonë se, aktualisht, janë të përqendruar në rregullimin e brendshëm të shtetit, ndërsa çështjet si anëtarësimi në BE do të shqyrtohen pas ndryshimit të pushtetit.

Radosavleviq thotë se Lista studentore e ka përcaktuar si qëllim “rrëzimin e Vuçiçit” dhe krijimin e kushteve për rindërtimin e institucioneve shtetërore.

“Dhe, kur shteti të jetë rindërtuar deri në njëfarë mase, atëherë të paraqiten programet politike”, shton Radosavleviç.

Naim Leo Beshiri, nga organizata joqeveritare Instituti për Çështje Evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se synimet e Listës studentore përputhen me vlerat e Bashkimit Evropian.

“Studentët nuk vrapuan dhe nuk udhëtuan me biçikleta drejt Moskës apo, për shembull, Egjiptit, por drejt qyteteve kryesore evropiane, Brukselit dhe Strasburgut”, thotë ai.

Beshiri shton se politikat që Lista studentore synon t’i zbatojë, sipas programit të saj, nuk mund të realizohen pa BE-në si partnere Megjithatë, gjatë fushatës zgjedhore, studentët deklaruan se janë kundër vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë.

Ata e arsyetuan këtë qëndrim duke thënë se sanksionet ndaj cilitdo shtet nuk ndihmojnë në zgjidhjen e sfidave politike dhe të sigurisë, “veçanërisht duke pasur parasysh përvojën tonë dhe pasojat e drejtpërdrejta të masave të tilla për popullsinë vendase”.

Në anën tjetër, Lista “Serbia evropiane” mbështet harmonizimin e plotë të politikës së jashtme të Serbisë me atë të Bashkimit Evropian dhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.

Përfaqësuesit e kësaj liste thonë se synojnë ta rikthejnë Serbinë në rrugën e integrimit evropian dhe që deri në vitin 2030 ta përfundojnë atë që, sipas tyre, “pushteti aktual e ka shtyrë për vite me radhë”.

Bashkimi Evropian, megjithatë, është pjesë e fushatës së listave zgjedhore që përbëhen nga parti euroskeptike.

Përfaqësuesit e Listës “E djathta autentike”, të udhëhequr nga Partia e Re Demokratike e Serbisë (DSS), mbështesin bashkëpunimin me BE-në, por kundërshtojnë anëtarësimin.

Ata thonë se “nuk duan që Brukseli të jetë kryeqyteti i tyre”.

Ndër mesazhet e kryetarit të DSS-së së Re, Millosh Jovanoviq, gjatë fushatës, ishte edhe pretendimi se anëtarësimi i Serbisë në BE “nënkupton njohjen e martesave mes personave të së njëjtës gjini”.

“Vazhdimisht dëgjojmë deklarata bombastike, patriotike dhe sovraniste”, thotë Radosavleviç, duke komentuar mesazhet e partive euroskeptike.

Edhe Lista “Alternativa për Serbinë”, e udhëhequr nga kryetari i Partisë Popullore, Vlladimir Gajiç, dallohet për qëndrimet kundër BE-së.

Kjo listë kërkon ndërprerjen e negociatave të anëtarësimit për aq kohë sa, sipas saj, kusht për Serbinë mbetet njohja e Kosovës si shtet i pavarur.

Gjatë fushatës, Gajiq ka deklaruar se politika “edhe Kosova, edhe Evropa” është e pamundur.

Autoritetet në Serbi nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, por zhvillojnë dialog me Prishtinën për normalizimin e marrëdhënieve, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Përparimi në këtë dialog është kusht për avancimin e të dyja vendeve në procesin e integrimit evropian.

Partitë e djathta kundërshtojnë, gjithashtu, vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Partitë që deri më tani kanë qenë në pushtet, flasin pak për Bashkimin Evropian, por u premtojnë votuesve se nuk do ta anëtarësojnë Serbinë në NATO.

Në një video të fushatës zgjedhore të Listës “Serbia e bashkuar”, anëtarët e rinj të një familjeje kërkojnë anëtarësimin në BE dhe në NATO, ndërsa Vuçiq, i cili luan rolin e kamerierit, u përgjigjet: “NATO nuk kemi, por kemi paqe dhe stabilitet”.

Sipas një deklarate të miratuar nga Kuvendi i Serbisë, ky vend është ushtarakisht neutral, por bashkëpunon me NATO-n përmes programit Partneriteti për Paqe. Beshiri vlerëson se mënyra se si NATO-ja po përdoret në fushatë, është një taktikë marketingu e Partisë Përparimtare Serbe (SNS).

“Me gjasë, ata po përpiqen të krijojnë përshtypjen se të tjerët, përfshirë Listën studentore, mund të jenë ata që do të angazhohen për anëtarësimin në NATO”, thotë ai.

Beshiri thekson se Serbia ka bashkëpunuar më së shumti me NATO-n pikërisht gjatë periudhës kur Vuçiq ka qenë në pushtet.

Stërvitja e parë ushtarake “NATO-Serbi” u mbajt në maj të këtij viti, në jug të Serbisë, ku rreth 600 pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë dhe të forcave të vendeve anëtare të NATO-s shkëmbyen përvoja. Po ashtu, që nga viti 2014 organizohet stërvitja ushtarake “Ujku i Platintë”, nga Ushtria e Serbisë dhe Komanda Evropiane e Forcave të Shteteve të Bashkuara.

Në këto stërvitje, përveç SHBA-së, marrin pjesë edhe pjesëtarë të ushtrive të vendeve të tjera anëtare të NATO-s. Edhe Partia Socialiste e Serbisë, pjesë e koalicionit aktual qeverisës, deklaron se e kundërshton fuqishëm anëtarësimin në NATO.

“Kur të gjitha vendet përreth jush janë anëtare të NATO-s ose të BE-së, apo të të dyjave… në një situatë të tillë nuk mund ta vini në pikëpyetje bashkëpunimin. Ju bashkëpunoni me ata që ju rrethojnë”, thotë Radosavleviç.

Edhe përfaqësuesit e partive të djathta kundërshtojnë anëtarësimin e Serbisë në NATO.

Lista studentore nuk ka paraqitur qëndrim për NATO-n në programin e saj.

E, përfaqësuesit e Listës “Serbia evropiane” kanë deklaruar gjatë viteve të mëparshme se Serbia nuk duhet të bëhet anëtare e NATO-s, por duhet të bashkëpunojë me këtë aleancë ushtarake./REL

Etiketa: BErajoniSerbizgjedhje

Lajme të lidhura

BOTA

BE shënjestron industrinë ushtarake ruse, miratohen 1600 sanksione ndaj Moskës

16:35 : 12/10/2026
BOTA

Sherr mes Gjermanisë e Irlandës, Merz nuk pranon propozimin e buxhetit të BE-së

15:29 : 12/10/2026
AKTUALITET

Qiratë në Shqipëri u rritën dy herë më shpejt se mesatarja e BE-së

11:14 : 12/10/2026
RAJONI

Marta Kos: Ndryshimet në Ligjin për Specialen janë të papranueshme për BE-në

09:52 : 12/10/2026
BOTA

BE dhe OKB dënojnë sulmin vdekjeprurës të Huthive në Riad

18:41 : 11/10/2026
RAJONI

Pas dëbimit nga Mali i Zi, themeluesi i rrjetit rus Rybar mbërrin në Serbi

17:33 : 10/10/2026

TË GJITHA

BE pothuajse jashtë fushatës zgjedhore në Serbi

18:19 : 12/10/2026

Shkumbini po paguan çmimin e Korridorit VIII

18:10 : 12/10/2026

Zgjoheni shpesh gjatë natës? Tre shkaqet që nuk duhet t’i injoroni

18:03 : 12/10/2026

Trafik droge drejt Greqisë/ Dënohet me 7,4 vite burg ish-zv/drejtori i Kufirit në Korçë

17:51 : 12/10/2026

HEC i ri lë pa ujë 92 familje / Banorët e Fushë-Buallit në protestë para bashkisë së Elbasanit

17:36 : 12/10/2026

Ndërtimet në Orikum dhe Dukat/ Banorët në protestë: Do t’i përzëmë me gurë…

17:22 : 12/10/2026

Rusia nuk konfirmon armëpushimin energjetik të Trump

17:10 : 12/10/2026



RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2026 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Botërori 2026
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2026 Boldnews Dev By Techzero1.com