Bardhi denoncon tenderin 18.6 milionë euro për “Tigrat e Vlorës”: Fatura totale drejt 100 milionë eurove
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka denoncuar një kontratë të re prej 18.6 milionë eurosh, pa TVSH, për operimin dhe mirëmbajtjen e dy termocentraleve lundruese të Vlorës, të njohura si “Tigrat e Vlorës”. Në një postim në Facebook, Bardhi thotë se KESH ka shpallur fituesin e tenderit për mirëmbajtjen dhe operimin e dy impianteve gjatë dy viteve të ardhshme. Sipas tij, kjo kontratë e re e çon faturën e projektit drejt 100 milionë eurove, pa përfshirë karburantin dhe shpenzimet e tjera që mbulohen veçmas nga KESH. Bardhi e cilëson kontratën si vijim të asaj që ai e quan aferë korruptive, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku për përgjegjësi në këtë çështje.
Postimi i plotë
Tigrat 1 dhe 2, një kontratë e re për një aferë të vjetër korruptive! Duke më përjashtuar për 60 ditë nga Parlamenti, në kundërshtim me Rregulloren, Edi Rama mendon se do të më mbyllë gojën për korrupsionin e qeverisjes së tij, që po shkatërron jetën e shqiptarëve.
Rasti i “Tigrave të Vlorës”, dy karakatina lundruese që po u kushtojnë shqiptarëve mbi 100 milionë euro, është një tjetër arsye pse nuk do të hesht. Sot, Edi Rama ka çuar më tej aferën korruptive të nisur me kontratën e firmosur nga Belinda Balluku për dy termocentralet lundruese të Vlorës. KESH ka shpallur fituesin e një tenderi të ri prej 18.6 milionë eurosh, pa TVSH, për operimin dhe mirëmbajtjen e dy Tigrave, gjatë dy viteve të ardhshme.
Pra, një kontratë e re milionëshe për të mbajtur në funksion dy termocentrale që Shqipërisë nuk i duhen. Dhe kjo nuk është fatura përfundimtare: karburanti dhe shpenzimet e tjera që mbulohen veçmas nga KESH do t’u shtohen parave që shqiptarët duhet të paguajnë për favoret dhe përfitimet personale të Edi Ramës në funksion të pushtetit të tij.
Ky është akti i dytë i së njëjtës aferë korruptive. Akti i parë nisi me kontraktimin e dy termocentraleve lundruesebnga Belinda Balluku, nën pretekstin e një krize energjetike që nuk erdhi kurrë. Për këtë aferë, kam dorëzuar në SPAK një kallëzim penal, të shoqëruar me dokumentacion zyrtar që provon paracaktimin e fituesit, garën fiktive, favorizimin e kompanisë dhe kostot e pajustifikuara.
Rreth 70 milionë euro janë paguar tashmë për këtë projekt, ndërkohë që ajo pak energji e prodhuar nga këto termocentrale ka kushtuar rreth 675 euro për MWh, kundrejt 111 eurove në pikun e çmimeve të bursës. Gjashtë herë më shtrenjtë na ka kushtuar energjia e Tigrave të Korrupsionit të Ramës dhe Balkukut.
Me kontratën e re, fatura e “Tigrave të KORRUPSIONIT” po shkon drejt 100 milionë eurove për diçka që vendit nuk i duhet dhe që nuk na sjell asnjë përfitim publik. Sa miliona të tjera duhet të paguajnë shqiptarët që SPAK-u të veprojë? Pse SPAK-u ngec sa herë që gjurmët e korrupsionit të denoncuar çojnë te Belinda Balluku dhe Edi Rama? Pse nuk ndjek rrugën e parave për të zbuluar kush përfiton nga këto kontrata? Mjafton të ndiqen paratë. Aty janë edhe përgjigjet që i mungojnë SPAK-ut.

