E ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në Syri TV, Ilda Zhulali, eksperte e çështjeve ndërkombëtare, deklaroi se paralajmërimet e opozitës për narkoshtetin dhe lidhjet e dyshuara të qeverisë me kartelet e drogës duhet të shoqërohen me hetime dhe masa konkrete nga partnerët ndërkombëtarë.
Zhulali theksoi se SHBA-ja dhe Bashkimi Europian duhet të bashkërendojnë presionin ndaj qeverisë Rama, ndërsa kërkoi dërgimin e një misioni të posaçëm të Moneyval-it në Shqipëri për të verifikuar burimin e parave dhe mekanizmat e pastrimit të tyre.
Ajo u shpreh se opozita ka depozituar dosje pranë partnerëve dhe ka kërkuar hetimin e këtyre çështjeve, ndërsa vëmendja e institucioneve europiane ndaj denoncimeve të saj ka nisur të rritet.
Zhulali theksoi se vetëm përmes verifikimeve të pavarura dhe inspektimeve konkrete mund të përcaktohen përgjegjësitë institucionale dhe pasojat e parave të dyshuara si të paligjshme në ekonominë shqiptare.
Pjesë nga intervista:
Po, e para, ajo që tha dhe kryetari i partisë, zoti Berisha, që kur opozita fliste për narkoshtetin të gjithë mbyllnin sytë, veshët edhe gojën, madje si të thuash shigjetonin opozitën që ti po shan vendin apo po dëmton imazhin e vendit. Por të gjitha ato që ka thënë Partia Demokratike, veçanërisht kryetari i partisë, kanë dalë të vërteta. Dhe aq e vërtetë është kjo sa çështja e luftës ndaj karteleve është bërë përparësi e politikës së jashtme amerikane në Shqipëri.
Edhe ambasadori amerikan i ri që erdhi, këtë gjë tha, që ishte një nga prioritetet e punës së tij. Dhe raporti i fundit i Departamentit të Shtetit po ashtu na kujtonte se Shqipëria, që prej 2017-ës, vazhdon të jetë në listën e vendeve që konsiderohen si ato që pastrojnë paratë, por paratë që vijnë nga droga. Shqipëria vazhdon të jetë në vëmendje edhe të Kongresit Amerikan, siç e kemi thënë disa herë, që pritet të bëhet një hetim për lidhjet e qeverisë me kartelet e drogës. Por ajo çfarë ka munguar deri tani ka qenë dimensioni europian. Europianët kanë qenë më skeptikë dhe shumë më të ngadaltë për ta ndjekur këtë paralajmërim që ne kemi bërë.
Dhe tani besoj që ka një lloj zgjimi, ky zgjim ka ardhur e para tek Partitë Popullore Europiane, të cilat kanë mbajtur shënim të gjithë ato paralajmërime që ne ua kemi dërguar. Me sa duket, edhe pas kontrollit të fakteve u kanë rezultuar të vërteta dhe besoj tani është një moment ku duhet bërë bashkë edhe presioni amerikan, por duhet tërhequr me vete edhe presioni europian që kjo pastaj të përkthehet në një shuplakë institucionale ndaj qeverisë Rama, se kjo është ajo që pritet. Për shembull, Shqipëria ka qenë në listën gri të vendeve të Moneyval që bënin pastrimin e parave. Dhe u hoq nga lista, vetëm sepse Edi Rama u tërhoq nga amnistia fiskale nëse mban mend. Se kërcënonte që do bënte amnisti të madhe, do bënte pastrim të madh parash. Se këtë po bënte. I bënë presion vendet europiane dhe u tërhoq.
Me këtë rast pastaj dhe ata e hoqën nga lista gri. Tani Moneyval-i vazhdon që të na monitorojë, por ne për shembull kërkojmë që të ketë një mision të posaçëm nga Moneyval në Shqipëri, që të hulumtojë nga vijnë të gjitha këto para për të cilat po detyrohet të ndërhyjë edhe Banka e Shqipërisë.
Është një përgjigje që duhet ta japë një institucion ndërkombëtar. Dhe kjo pastaj do të hapi të tjera vatra ku do të shikojnë edhe qelbin që ka zënë, jo thjesht çështja e pastrimit të parave, por dëmi që ka sjellë në tërësi në ekonominë shqiptare.
Ndër të tjera tek sanksionet, nënkupton pikërisht këtë gjë, pra që BE-ja dhe SHBA-ja të rreshtohen e të jenë në të njëjtën valë dhe të monitorojnë nga afër Shqipërinë. Të vijnë e të bëjnë inspektime të posaçme në Shqipëri, të nxjerrin vetë konkluzionet e veta dhe pastaj ata vendosin, përmes formave të ndryshme penalizojnë qeverinë shqiptare që të marrë masa dhe po ashtu i bie qeverisë. Se duke nxjerrë këto të dhëna ti kalon se si qarkullojnë këto para, kush i lejon. Se këto nuk kalojnë pa dijeninë e qeverisë shqiptare. Ka mekanizma që jo vetëm e lehtësojnë, por janë pjesë e të gjithë procesit nga fillimi deri në fund. Pra e kontrollojnë vetë procesin nga fillimi deri në fund.
Nuk është i mjaftueshëm apeli, por zoti Berisha po thotë me zë të lartë, ose në një konferencë për shtyp, diçka për të cilën ne po punojmë si Parti Demokratike, në kuptimin që ne vazhdojmë të informojmë partnerët ashtu siç kemi bërë denoncime në institucionet shqiptare, në SPAK e të tjerë, po ashtu kemi depozituar dhe dosje pranë partnerëve. Dhe po ashtu kemi kërkuar me të drejtë ndihmën e tyre, sepse ne të vetëm nuk e mundim dot këtë fenomen, veçanërisht duke qenë në opozitë dhe nuk kemi as mjetet e nevojshme. Përkundrazi, mendoj që opozita shqiptare ka bërë diçka në një farë mënyre që mund ta quash heroike, sepse që të flasësh për këtë gjë do guxim shumë të madh, do kurajo. Se nuk flasin njerëzit, kanë frikë. Dhe këtë që ka bërë Partia Demokratike nuk e bën asnjë parti tjetër në Shqipëri.
Edhe këta që thonë që janë anti-sistem, anti-establishment nuk guxojnë të flasin. Asnjëri. Kështu që Partia Demokratike për këtë gjë meriton t'i njihet ky rol që ka luajtur dhe që vazhdon të luajë, por nuk e ka mbaruar punën. Ne vazhdojmë i kemi kërkuar edhe partive simotra, Partive Popullore Europiane, por edhe përfaqësuesve të tjerë të lartë që janë pjesë të Bashkimit Europian, që t'i kushtojnë një vëmendje të posaçme narkoshtetit shqiptar. Tashmë kemi patur rezistencë deri vonë, tani kanë filluar të ndryshojnë.
© SYRI.net