
Një 16-vjeçare dyshohet se është ngacmuar seksualisht nga një robot në qytetin e Këlnit, në Gjermani. Policia ka nisur hetimet për rastin, pasi pajisja robotike dyshohet se e ka prekur vajzën në të pasme.
Sipas policisë së Këlnit, ngjarja ka ndodhur natën mes së shtunës dhe të dielës, kur e mitura ndodhej para një restoranti të ushqimit të shpejtë, së bashku me dy shoqe të saj. Në atë moment, një robot me ngjyrë të kuqe dhe të artë dyshohet se i është afruar nga pas dhe e ka prekur.
Sipas agjencisë gjermane të lajmeve DPA, pronari i robotit, një 16-vjeçar nga Wegberg, dhe shoqëruesi i tij 19-vjeçar dyshohet se kanë filmuar incidentin, duke e transmetuar drejtpërdrejt në rrjetet sociale dhe duke komentuar atë që po ndodhte.
Pak pas ngjarjes, policia ka ndaluar dy të rinjtë në afërsi të vendit ku ndodhi incidenti. Gjatë kontrollit të automjetit të tyre, efektivët kanë gjetur robotin, i cili është rreth 1.20 metra i lartë, në bagazhin e makinës. Sipas policisë, 16-vjeçari dyshohet se e kishte fshehur pajisjen aty.
Autoritetet kanë sekuestruar gjithashtu telefonat celularë të dy të rinjve, për të verifikuar pamjet e regjistruara dhe rrethanat e ngjarjes.
Një nga pistat e hetimit është nëse lëvizjet e robotit janë kontrolluar qëllimisht për ta drejtuar atë drejt vajzës dhe për të kryer veprimin e dyshuar.
Policia po vijon hetimet për të sqaruar plotësisht incidentin dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e personave të përfshirë./Versus.al

