Një ndodhi tronditëse ka lëkundur qytetin Cinisello Balsamo, në periferi të Milanos, pasditen e 12 tetorit. Një fëmijë i porsalindur u konstatua i braktisur brenda një qeseje, e lënë në kryqëzimin e rrugëve Monte Ortigara dhe Pasubio.
Të lidhura
None found
Ishte një grua, e cila ndodhej në zonë për ta shëtuar qenin e saj, ajo që bëri zbulimin. Djali kishte akoma placentën të bashkangjitur dhe ishte i mbështjellë me një pjesë pëlhure.
Duke dëgjuar zhurmë dhe rënkie të dobëta, ajo iu afrua qeses të fshehur mes pemëve dhe me habitje pa se brenda kishte një bebe. Pa humbur kohë, ajo lajmëroi urgjencën.
Sipas mediave italiane, lajmi u raportua rreth orës 16:15, dhe menjëherë në vendngjarje u dërguan ekipet mjekësore të shërbimit 118 së bashku me forcat e policisë.
I porsalinduri u dërgua në gjendje të rëndë me urgjencë drejt spitalit Niguarda në Milano, ku i nënshtrohet kujdesit të posaçëm. Burime lokale përmendin se situata e tij shëndetësore mbetet shumë e brishtë.
Portali “MilanoToday” raporton se lindja me sa duket ka ndodhur afërsisht dy orë para zbulimit të foshnjës. Në zonë ndërhynë efektivët e komisariatit të Cinisello Balsamo, të cilët rrethuan ambientin dhe zuri fill procesin hetimor.
Po ashtu, në hetimet është përfshirë Njësia e Hetimit të Policisë së Milanos, e cila përpiqet të sqarojë dinamikën e ngjarjes dhe të përcaktojë identitetin e personit përgjegjës për braktisjen.
Për momentin, detajet e plota të rastit nuk janë bërë të ditura, ndërsa hetimet vazhdojnë për të ndriçuar çështjen.






