
Bojkoti i avokatëve mbrojtës, në kundërshtim me rregulloren që ndalon telefonat celularë në sallat e gjykimit, vijon të pengojë zhvillimin normal të proceseve në Gjykatën e Posaçme. Këtë të hënë, tre seanca gjyqësore nuk u zhvilluan për shkak të mungesës së avokatëve, ndërsa gjykata vendosi gjoba financiare për mbrojtësit që nuk u paraqitën.
Në seancën ndaj ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, dhe 20 të pandehurve të tjerë, avokatët që munguan u gjobitën me nga 50 mijë lekë të reja.
Masa financiare u vendosën edhe në procesin që lidhet me një nga fraksionet e dosjes së Ilir Metës, ku janë të përfshirë Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku. Në këtë rast, gjoba për secilin avokat që nuk u paraqit ishte 20 mijë lekë të reja.
Ndërkohë, as çështja “Partizani”, ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi, nuk mundi të vijonte për shkak të bojkotit të mbrojtësve. Gjykata caktoi datën 26 tetor për zhvillimin e seancës së radhës, por këtë herë nuk vendosi gjoba për avokatët që munguan. Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja.
Konflikti mes Gjykatës së Posaçme dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë nisi pas hyrjes në fuqi, më 1 shtator, të rregullores që ndalon mbajtjen dhe përdorimin e telefonave celularë gjatë seancave gjyqësore.
Avokatët e kundërshtojnë këtë masë, me argumentin se kufizon ushtrimin e profesionit të tyre. Nga ana tjetër, gjykata mbron zbatimin e rregullores, duke argumentuar se ajo duhet të respektohet nga të gjithë personat që marrin pjesë në proceset gjyqësore.
Në shenjë kundërshtimi, Dhoma e Avokatisë shpalli bojkot pa afat të seancave në GJKKO, duke e shtrirë atë edhe në çështjet që lidhen me masat e sigurisë./Versus.al

