Kreu i partisë Reform UK, Nigel Farage, ka propozuar pezullimin e sistemit të azilit në Mbretërinë e Bashkuar për një periudhë deri në pesë vjet, nëse partia e tij fiton zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Plani parashikon gjithashtu anulimin e kërkesave për azil që janë ende në shqyrtim, si pjesë e një pakete masash për ashpërsimin e politikave të imigracionit.
Gjatë një konference për shtyp të hënën, Farage argumentoi se sistemi aktual përbën rrezik për sigurinë kombëtare dhe theksoi se një qeveri e drejtuar prej tij do t’i jepte përparësi mbrojtjes së kufijve dhe qytetarëve britanikë.
Propozimet e Reform UK përfshijnë edhe deportimin e shtetasve të huaj të dënuar për krime, si dhe të personave që qëndrojnë në vend në mënyrë të paligjshme.
Farage bëri të ditur se partia synon të vendosë kufizime për vizat dhe fluturimet, si dhe masa të tjera ndaj shteteve që refuzojnë të pranojnë kthimin e shtetasve të tyre. Si shembull të këtyre vendeve, ai përmendi Pakistanin.
Kreu i Reform UK e paraqiti planin si një mënyrë për të forcuar sigurinë kombëtare dhe për të ndaluar hyrjet e paligjshme në vend. Megjithatë, propozimi për pezullimin e azilit dhe anulimin e kërkesave në shqyrtim pritet të hapë debat mbi të drejtën e azilit dhe detyrimet e Mbretërisë së Bashkuar ndaj personave që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare.


