Një foshnjë e porsalindur është gjetur në gjendje kritike në një zonë të gjelbër në Cinisello Balsamo, pranë Milanos, pasi ishte lënë brenda një qeseje. Ngjarja u zbulua pasditen e 12 tetorit, kur një grua që po shëtiste qenin dëgjoi zhurma të lehta pranë disa pemëve.
Kur iu afrua vendit nga vinte zëri, gruaja kuptoi se brenda qeses ndodhej një djalë i sapolindur. Foshnja ishte mbështjellë me një copë pëlhure dhe kishte ende placentën të lidhur, çka ngriti dyshimet se lindja kishte ndodhur vetëm pak kohë më parë.
Gruaja lajmëroi menjëherë shërbimet e emergjencës. Rreth orës 16:15, ekipet mjekësore dhe policia mbërritën në kryqëzimin e rrugëve Monte Ortigara dhe Pasubio, ku foshnjës iu dha ndihma e parë.
I porsalinduri u dërgua me urgjencë në spitalin Niguarda të Milanos. Sipas mediave italiane, gjendja e tij shëndetësore është tepër e rëndë dhe ai po mbahet nën kujdesin e mjekëve.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se foshnja kishte ardhur në jetë rreth dy orë para se të zbulohej. Megjithatë, rrethanat e lindjes dhe mënyra se si përfundoi i braktisur në atë zonë mbeten ende të paqarta.
Policia ka rrethuar vendin ku u gjet i porsalinduri dhe ka nisur hetimet për të rindërtuar ngjarjen. Në verifikime janë përfshirë edhe specialistët e Njësisë së Hetimit të Policisë së Milanos, të cilët po punojnë për identifikimin e personit përgjegjës për braktisjen e foshnjës.













