Kënga “Sytë e tu” ka pasur një histori që ndoshta shumë dëgjues nuk e dinë. Frederik Ndoci ka treguar se frymëzimi pas këngës lidhej me Xhoana Nanon, bashkëshorten e ish-kryeministrit Fatos Nano. Por, tekstin e këngës e shkroi Preç Zogaj, me kërkesë të këngëtarit Ardit Gjebrea.
Historia u rikthye në vëmendje gjatë intervistës së Frederik Ndocit me Grida Dumën në podcastin e saj. “Sytë e kujt ishin atëherë?”, e pyeti ajo, duke e çuar bisedën drejt historisë që fshihet pas një prej këngëve të njohura të repertorit shqiptar.
Ndoci tregoi se ishte frymëzuar nga Xhoana Nano, ndërsa kujtoi edhe videoklipin ku ajo shfaqej si protagoniste. Sipas rrëfimit të këngëtarit, videoja u fshi më pas. Gjatë emisionit, ai interpretoi edhe këngën live, duke rikthyer vëmendjen te një histori që ka ngjallur interes edhe në rrjetet sociale.
Por kush e shkroi tekstin e “Sytë e tu”? Për këtë ka folur vite më parë Preç Zogaj, i cili ka treguar se kënga u krijua në vitin 1998, pasi Ardit Gjebrea i kërkoi një tekst për Festivalin e Pranverës.
“Ky është një tekst kënge që unë e kam shkruar për Ardit Gjebrenë në vitin 1998-të. Arditi më kërkoi një tekst. I kisha bërë ndërkohë një tekst për një operetë që do të bënte ai si student i institutit të Arteve.
Dhe pastaj për Festivalin e Pranverës, kam marrë një motiv poezie dhe e kam shndërruar në teskt kënge. Kënga ka këtë specifikën që nuk të lejon të dalë nga vija. Bashkë me Arditin, bile ai ka ndryshuar dhe 2-3 fjalë. Është një këngë që është bërë hit kryesisht dhe për shkak të muzikës së bukur”, ka thënë Preç Zogaj.
