
Disa qytetarë amerikanë janë arrestuar në Arabinë Saudite, pasi dyshohet se kanë fotografuar sulmet e fundit në Aeroportin Ndërkombëtar “King Khalid” të Riadit dhe më pas kanë publikuar pamjet në rrjetet sociale.
Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në kryeqytetin saudit, përmes një deklarate zyrtare. Ambasada nuk ka specifikuar numrin e personave të arrestuar dhe as nëse ata janë liruar nga autoritetet.
Ndërkohë, disa shtetas të huaj që jetojnë në Arabinë Saudite kanë raportuar gjithashtu arrestimin e të njohurve dhe të afërmve të tyre, pasi dyshohet se kanë filmuar sulmet dhe kanë shpërndarë fotografi apo video në platformat e mediave sociale.
Në deklaratën e saj, ambasada amerikane ka rikujtuar paralajmërimet e autoriteteve saudite për ndalimin e publikimit të informacioneve, fotografive dhe videove të paautorizuara që tregojnë raketa, dronë apo pasojat e sulmeve.
Sipas ambasadës, shkelësit e këtyre rregullave mund të përballen me sanksione gjyqësore.
Autoritetet saudite kanë vendosur kufizime për publikimin e pamjeve që lidhen me sulmet, në një kohë kur siguria dhe kontrolli i informacionit mbi incidentet e tilla mbeten çështje të ndjeshme në vend./Versus.al

