Pse Muli është kundër votimit elektronik

12 Tetor 2026, 20:13Antena TEMA


PD-ja ka vendosur sot të mos e pranojë më votimin elektronik.

– Arsyet janë të shumta, por kryesorja nuk mund të bëhet publike, – i tha Muli Lelos.

– Po cila është kryesorja? – e pyeti Lelo.

– Kryesorja është që rezultati del që në orën tetë të darkës dhe merret vesh humbja në gjithë Shqipërinë. Kështu dëshpërohen bashkitë e tjera dhe e lënë fare numërimin. Na hedh në erë. Kështu humbëm edhe në Kamzë. Fitoi PS-ja me 60 për qind. I hapëm kutitë, po aq doli. S’ka mundësi. I bëjnë ndonjë magji aty, brenda atyre kompjuterëve.

– Atëherë duhet të gjejmë çfarë të themi në publik, – tha Lelo, – se këtë të vërtetën nuk e themi dot.

– Një arsye që mund të themi është se diskriminohen qytetarët, – tha Muli. – Disa e kanë votimin elektronik, disa me fletë. Kushtetuta garanton kushte të barabarta votimi.

– Këtu ke të drejtë, – tha Lelo, – por është e rrezikshme, se mund të thotë Rama: “E bëjmë të gjithë elektronik, s’ka problem.”

– Në asnjë mënyrë, – tha Muli. – Po e tha këtë, e akuzojmë se është shumë i shtrenjtë dhe se po harxhon paratë e taksapaguesve shqiptarë.

– Po me gjithë ata komisionerë dhe numërues, kam frikë se shkon më shtrenjtë votimi manual, – tha Lelo.

– E vërtetë është, – tha Muli, – por e kemi të nevojshëm një 48-orësh që të themi se kemi fituar, derisa demokratët të mësohen me idenë se kanë humbur.

– Dakord jam, – tha Lelo. – Por mund ta nisim që herët, pa mbaruar votimi, të themi: “Na ka vjedhur, na ka vjedhur”, dhe deri në orën tetë të darkës mësohen ata.

– Mësohen ata, por s’mësohemi dot ne. Se edhe ne besojmë gjatë 12 orëve të para se kemi fituar, – tha Muli. – Ndaj është i ndyrë ky votimi elektronik, se ta thotë rezultatin brenda minutës. Kjo është e tmerrshme. Si mund ta durojmë?

– Mendoj se Celibashi nuk ka leverdi nga votimi elektronik, – tha Lelo, – se kështu bën tenderin e fletëve të votimit në Slloveni dhe e ka kapur mirë si treg. Kështu që mund ta kemi aleat.

– Po, po, – tha Muli. – Madje ai na kërkon vetë të protestojmë, se edhe ai nuk fiton gjë po të mbarojnë zgjedhjet për dy minuta.

Lini një Përgjigje