Anëtari i Kryesisë në PD, Grigels Muçollari ka reaguar ashpër ndaj masave të Komisionit të Etikës ndaj deputetëve të opozitës, duke akuzuar Kuvendin për standarde të dyfishta dhe tolerim të korrupsionit.
Në një status publik, Muçollari e cilëson Parlamentin një institucion që ka humbur funksionin dhe legjitimitetin, ndërsa kërkon shkrirjen e tij bashkë me Komisionin e Etikës.
‘Është pjellë e patronazhimit të votës dhe vijon të sillet e të ndërmarrë akte si i tillë. Ai duhet shkrirë bashkë me Komisionin e Etikës njëherë e mirë’, shkruan Muçollari.
Reagimi i plotë i Grigels Muçollarit:
Pjella që duhet shkrirë!
Shqipëria është një vend plot me paradokse, po një nga më të mëdhatë mund të jetë se Parlamenti paska komision etike që vigjilon me rigorozitet dhe merr masa ndaj deputetëve të Opozitës.
Ky Parlament ku është mbrojtur korrupsioni dhe aferat me votë, ky Parlament ku fshihen 15 bashki dhe të njëjtët deputetë që bërtasin kundër votojnë pro në fund, ky Parlament ku grupet kriminale kanë përfaqësuesit e tyre për të cilët kanë bërë vota, ky Parlament ku shkelet rregullorja dhe Kushtetuta në mënyrë periodike, i njëjti Parlament ku Kryeministri nuk vjen asnjëherë të japë llogari e t'u përgjigjet pyetjeve që kanë të zgjedhurit, paska komision etike që nuk toleron nëse dikush kundërshton apo hedh një shishe ujë.
Dhe vepron komisioni i etikës me tolerancë zero. Deputetët e opozitës të qëndrojnë 2 muaj larg.
Parlamenti i Shqipërisë jo vetëm që ka humbur rolin dhe funksionin që duhet të ketë sipas ligjit themelor, por ka humbur edhe çdo legjitimitet. Është pjellë e patronazhimit të votës dhe vijon të sillet e të ndërmarrë akte si i tillë. Ai duhet shkrirë bashkë me komisionin e etikës një herë e mirë.
Është një institucion që nuk e përfaqëson shoqërinë as në nivelin e dijes, të edukimit, të vlerave dhe padyshim as në etikë.
Një parlament për t’u marrë si shembull se si të mos jetë më Kuvendi i Shqipërisë.
© SYRI.net