BOTA /

Sulm kibernetik në Francë, hakerët ngrohin frigoriferët e 500 supermarketeve deri në 50°C

Për të shmangur rreziqet për shëndetin e konsumatorëve, kompania vendosi të hidhte të gjitha produktet ushqimore të prekura.

Shkruar nga Versus

Sulm kibernetik në Francë, hakerët ngrohin frigoriferët e

Qindra supermarkete në Francë janë goditur nga një sulm kibernetik që ka shkaktuar prishjen e sasive të mëdha të ushqimeve të freskëta dhe të ngrira, me humbje që mund të arrijnë në miliona euro. Hakerët morën kontrollin e sistemit që menaxhon temperaturat e frigoriferëve, duke bërë që disa prej tyre të ngroheshin deri në 50 gradë Celsius gjatë natës.

Reuters shkruan se, sulmi ka prekur disa prej rrjeteve më të mëdha të shitjes së ushqimeve në Francë, përfshirë “Intermarché”, “Netto”, “Carrefour”, “Monoprix”, “E.Leclerc” dhe “Coopérative U”. Sipas të dhënave të raportuara nga agjencia e lajmeve AFP, më shumë se 100 supermarkete të “Coopérative U” dhe të paktën 300 dyqane të “Intermarché” dhe “Netto” janë vënë në shënjestër.

Në fokus të sulmit ishte softueri i ofruar nga kompania daneze e inxhinierisë “Danfoss”, i cili u mundëson supermarketeve të kontrollojnë dhe menaxhojnë nga distanca njësitë e tyre ftohëse. Hakerët ndërhynë në sistem, duke urdhëruar frigoriferët dhe ngrirësit të rrisnin temperaturën dhe ta mbanin atë për disa orë.

Në kushte normale, frigoriferët kalojnë gjatë natës në një cikël të shkurtër shkrirjeje, gjatë të cilit temperatura rritet lehtësisht. Por këtë herë, pajisjet u ngrohën në nivele shumë më të larta se normalja, duke rrezikuar sigurinë e produkteve ushqimore.

Kompania “Danfoss” deklaroi se pajisjet e prekura ishin modele të vjetra, të cilat nuk mund të përfitonin nga përditësimet e sigurisë për të parandaluar një rrezik të identifikuar më herët.

Sipas agjencisë Reuters, “Intermarché” bëri të ditur se frigoriferët e saj ishin ngrohur deri në 50 gradë Celsius për rreth gjashtë orë, gjatë natës nga e diela në të hënë. Për të shmangur rreziqet për shëndetin e konsumatorëve, kompania vendosi të hidhte të gjitha produktet ushqimore të prekura.

Edhe rrjete të tjera morën masa për largimin e produkteve nga shitja. “Carrefour” njoftoi se frigoriferët në 80 nga rreth 6,000 dyqanet e tij ishin hakuar, ndërsa “Monoprix” raportoi se sulmi kishte prekur 5% të më shumë se 400 pikave të shitjes. Kompania bëri të ditur se produktet u hoqën nga raftet në rastet kur nuk mund të garantohej siguria e tyre.

Në një deklaratë për BBC, Grupi “Mousquetaires”, që zotëron “Intermarché” dhe “Netto”, konfirmoi se disa njësi ekspozimi për produktet e freskëta dhe të ngrira mbetën jashtë funksionit edhe pasditen e së hënës. Sipas kompanisë, stafi kishte marrë masat e nevojshme për largimin e ushqimeve të prekura dhe po punonte për të rikthyer furnizimin normal të rafteve.

Pasojat e sulmit u konstatuan që në orët e para të mëngjesit të së hënës, kur punonjësit e supermarketeve gjetën frigoriferë që lëshonin ajër të nxehtë. Në disa pika u raportuan edhe zjarre të vogla. Transmetuesi francez BFMTV publikoi një imazh të një frigoriferi në sektorin e akulloreve, ku temperatura shënonte 26.5 gradë Celsius.

Humbjet financiare pritet të jenë të konsiderueshme. Dy supermarkete në rajonin e Alzasës raportuan dëme të përbashkëta prej 270 mijë eurosh. Duke pasur parasysh numrin e dyqaneve të prekura në të gjithë vendin, vlera totale e ushqimeve të prishura mund të arrijë në disa miliona euro. Megjithatë, përmasat e plota të dëmit ende nuk janë përcaktuar.

Prokuroria e Parisit ka nisur një hetim të posaçëm për krimin kibernetik, duke e cilësuar incidentin si një sulm në shkallë të gjerë që preku frigoriferët e disa prej rrjeteve më të mëdha të shitjes së ushqimeve në Francë./Versus.al

Poll