Veteranët e UÇK-së përgjigjen komisioneres Kos: Përsëriten protestat e mëdha nëse ligji për Specialen mbetet letër e vdekur

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së është ndjerë e detyruar t’i përgjigjet deklaratave të komisioneres evropiane Marta Kos, e cila u shpreh kundër ndryshimit ligjor që prek Gjykatën Speciale.

Të lidhura

None found

Sipas OVL-së, vëmendja e përfaqësueses së Brukselit duhet drejtuar drejt padrejtësive që po ndodhin në Hagë, e jo drejt akteve të miratuara nga legjislatorët e Kosovës.

Organizata i kërkoi Kosit që të merret me shkeljet e të drejtave të njeriut të dokumentuara gjatë këtij procesi gjyqësor.

Nëse ligji nuk vëhet në jetë, atëherë veteranët dhe qytetarët, thonë ata, do të dalin përsëri në protesta masive.

Komunikata e plotë:

“Komisionerja Marta Kos duhet të shqetësohet për padrejtësitë në Hagë, jo për vendimet e Kuvendit të Kosovës”, shprehet mes tjerash në reagimin e OVL UÇK.

“OVL UÇK vlerëson se Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, duhet të shqetësohet për padrejtësitë në procesin gjyqësor kundër ish udhëheqësve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe jo për nismat ligjore të deputetëve të zgjedhur nga populli i Kosovës.”

“Organizata i kërkon komisioneres Marta Kos që t’i trajtojë shkeljet e të drejtave të njeriut në këtë proces, të cilat janë evidentuar edhe nga The Bar Human Rights Committee of England and Wales (BHRC), dhe që këto shkelje të mos mohohen nga institucionet evropiane.”

“Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, në vendimin KSC-CC-2022, paragrafi 83, ka konstatuar vetë të drejtën e Kuvendit të Kosovës për të kufizuar juridiksionin e Dhomave të Specializuara përmes ligjit dhe Kuvendi i Kosovës tashmë e ka bërë këtë.”

“Ky ligj duhet të zbatohet në plotni dhe nëse nuk fillon zbatimi i tij pas hyrjes në fuqi, veteranët dhe qytetarët e Republikës së Kosovës do t’i rifillojnë protestat masive para institucioneve të BE-së në Kosovë.”

“OVL UÇK thekson se Kuvendi i Kosovës është institucion sovran dhe përfaqësues i vullnetit të qytetarëve, prandaj ndërhyrjet dhe presioni ndaj ushtrimit të mandatit të tij janë të papranueshme.”

“Komisionerja Marta Kos duhet të kërkojë drejtësi të paanshme dhe respektim të të drejtave të njeriut, e jo t’u tregojë deputetëve të Kosovës se si duhet ta ushtrojnë mandatin e tyre.”


Shtuar më 12.10.2026 20:54

Tags: , ,
Quantcast