Parkimi i mjeteve të tonazhit të rëndë mbi trotuare po kthehet në shqetësim për banorët e rrugës “Halim Xhelo” në Paskuqan.
Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania, duke kërkuar ndërhyrjen e Bashkisë Kamëz për të zgjidhur këtë problematikë, e cila, sipas tij, po pengon lëvizjen e këmbësorëve.
Në videon e dërguar shihet një trailer i parkuar pranë banesave, duke zënë hapësirën e trotuarit dhe duke ua vështirësuar kalimin qytetarëve.
Sipas denoncuesit, në këto kushte nuk kanë hapësirë të sigurt për të kaluar as fëmijët, të cilët detyrohen të dalin në rrugë mes automjeteve.
Banori i bën thirrje kryetarit të Bashkisë Kamëz që të verifikojë situatën dhe të merren masa për të garantuar kalimin e lirë në trotuare.
JOQ Albania publikon denoncimin dhe pamjet e dërguara nga qytetari, ndërsa mbetet e hapur për reagimin e Bashkisë Kamëz lidhur me shqetësimin e ngritur.