Sadleva Bodo pritet të marrë drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, pas dorëheqjes së Adriatik Kupit, i cili qëndroi rreth shtatë muaj në këtë detyrë. Bodo vjen nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), ku ka punuar për pesë vjet si këshilltare ligjore e drejtuesit të institucionit.
Ajo ka bashkëpunuar fillimisht me ish-drejtoreshën e BKH-së, Aida Hajnaj, dhe më pas ka vijuar të mbajë të njëjtin pozicion edhe gjatë drejtimit të institucionit nga Joni Keta.
Përpara se të kalonte në strukturat e posaçme të drejtësisë, Bodo ka mbajtur një post drejtues në Ministrinë e Brendshme. Sipas jetëshkrimit të publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, nga maji i vitit 2018 deri në gusht 2021, ajo ka qenë drejtoreshë e Drejtorisë së Integrimit Europian, Koordinimit, Marrëveshjeve Ndërkombëtare dhe Asistencës në këtë ministri. Në pesë muajt e parë të kësaj periudhe, ministri i Brendshëm ishte Fatmir Xhafaj.
Pas largimit nga ministria, në gusht 2021, Bodo iu bashkua Byrosë Kombëtare të Hetimit, ku qëndroi deri në emërimin e pritshëm në krye të sistemit penitenciar.
Sipas informacioneve të publikuara nga VNA, tri ditë përpara se emri i saj të dilte si pasuese e Kupit, Bodo është takuar privatisht me kryeministrin Edi Rama në ambientet e Kryeministrisë. Takimi mësohet të jetë zhvilluar më 9 tetor, por nuk ka pasur një njoftim publik mbi përmbajtjen e bisedës apo çështjet e diskutuara.
E lindur më 29 janar 1988, Sadleva Bodo është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 2010. Më pas, ajo ka ndjekur studime pasuniversitare në Wayne State University, në Detroit të SHBA-së, dhe në Universitetin e Maastricht-it, në Holandë. Sipas CV-së zyrtare, që prej dhjetorit 2022 është gjithashtu anëtare e Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve pranë Federatës Shqiptare të Futbollit.
Dorëheqja e Adriatik Kupit u bë publike prej tij përmes një postimi në Facebook, ndërsa ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, konfirmoi më pas se e kishte pranuar atë.
Kupi, i cili kishte marrë detyrën më 1 prill, e përshkroi drejtimin e sistemit të burgjeve si një periudhë jo të lehtë, duke lënë të kuptohet se gjatë ushtrimit të detyrës ishte përballur edhe me kundërshtime.
“Ka pasur edhe kritika, kundërshtime dhe gurë të hedhur mbi këtë punë”, deklaroi ai, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi arsyet e largimit. Ish-drejtori shtoi se për disa çështje koha do të flasë më qartë.
Rreth tri orë pas njoftimit të Kupit, ministri Toni Gogu bëri të ditur se kishte pranuar dorëheqjen, duke e falënderuar për përkushtimin gjatë drejtimit të institucionit. Ai sqaroi se procedurat për emërimin e drejtuesit të ri do të ndiqeshin në përputhje me ligjin.
Sadleva Bodo pritet të marrë zyrtarisht detyrën të mërkurën, më 14 tetor, duke kaluar nga pozicioni i këshilltares ligjore në BKH në drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.


