BOTA /

Mbrojti vajzat e tij nga sherri me disa shoqe, babai dhunohet me grushta e shkelma nga banda e të rinjve në Napoli

Shkruar nga Versus

Mbrojti vajzat e tij nga sherri me disa shoqe, babai dhunohet me grushta e

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Napoli të Italisë, ku një 50-vjeçar është dhunuar nga një grup të rinjsh pasi ndërhyri për të mbrojtur dy vajzat e tij të mitura. Në kulmin e përplasjes, ndërsa burri ndodhej i shtrirë në tokë, një kamion i mbeturinave i shtypi këmbën para syve të vajzave të tij.

Ngjarja ndodhi në Piazza Vanvitelli, në lagjen Vomero të Napolit, një zonë e frekuentuar nga të rinjtë gjatë orëve të mbrëmjes.

Sipas raportimeve, gjithçka nisi pas një konflikti mes vajzash. Dy vajzat e 50-vjeçarit, përkatësisht 12 dhe 16 vjeçe, u sulmuan fillimisht nga dy vajza të moshës së tyre. Situata u përshkallëzua më tej kur një djalë u përfshi në konflikt dhe përplasi njërën prej tyre pas një makine të parkuar.

Pas kësaj, babai ndërhyri për të mbrojtur vajzat, por përfundoi vetë objekt i dhunës. Ai u rrethua nga një grup të rinjsh dhe u godit vazhdimisht me grushte e shkelma, edhe pasi kishte rënë përtokë.

Në momentin më të rëndë të ngjarjes, teksa 50-vjeçari ndodhej i shtrirë në trotuar, mbërriti një kamion i mbeturinave, i cili i shtypi këmbën. E gjithë skena u zhvillua para syve të vajzave të tij, të tmerruara nga ajo që po ndodhte.

Ngjarja ka tronditur zonën, ndërsa detaje të tjera mbi gjendjen shëndetësore të 50-vjeçarit dhe identifikimin e personave të përfshirë nuk janë bërë të ditura në informacionin e publikuar./Versus.al

 

 

Poll