Konkurrentja e emisionit “Për’puthen”, Ada, ka bërë një rrëfim personal gjatë programit, ku zbuloi për herë të parë se është nënë e një djali 14-vjeçar. Ajo ndau me publikun historinë e lidhjes së saj të mëparshme, largimin nga shtëpia në moshë të re dhe marrëdhëniet e vështira me familjen.
Ada tregoi se ishte vetëm 17 vjeçe kur vendosi të largohej nga shtëpia për të jetuar me djalin që kishte zgjedhur. Për rreth një vit, ajo nuk kishte komunikuar me familjen e saj. Nga kjo marrëdhënie, pavarësisht moshës së re, çifti u bë prindër i një djali, për të cilin, sipas saj, kujdesen të dy prindërit.
Konkurrentja shpjegoi se në atë kohë prindërit nuk e kishin mbështetur lidhjen e saj, pasi kishin paragjykime për djemtë nga Fieri dhe mendonin se partneri i saj nuk ishte zgjedhja e duhur.
Ada foli edhe për historinë e familjes së saj, duke treguar se prindërit ishin divorcuar dhe se babai ishte larguar në emigrim, pa u kthyer më. Marrëdhënia me të mbetet e vështirë, ndërsa titulli i rrëfimit të saj përmbledh një nga plagët personale që ajo ndau me publikun: “Babai nuk më flet”.
Sa i përket jetës sentimentale, Ada bëri të ditur se tashmë është ndarë nga ish-bashkëshorti, por ruan marrëdhënie të mira me të. Ajo tregoi se ai e kishte kontaktuar pas rrëfimit në emision dhe ishte mërzitur që ajo nuk kishte folur më herët për djalin e tyre.
“Ai më ka shkruar, ishte mërzitur, pse nuk e tregove që ke një djalë më tha, por unë i thashë s’më pyeti njeri, nuk u interesuan. Pastaj doja të flisja njëherë për veten”, rrëfeu Ada.
Përmes këtij rrëfimi, konkurrentja ndau me publikun një pjesë të rëndësishme të jetës së saj, duke treguar për sfidat familjare dhe personale që ka kaluar, si dhe për marrëdhënien që ruan sot me ish-partnerin dhe djalin e tyre.


