Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka paralajmëruar se do të ndërmarrë sërish lëvizje për largimin e Sali Berishës nga drejtimi i PD-së, nëse demokratët nuk fitojnë zgjedhjet lokale.
I ftuar në News 24, Salianji e cilësoi Berishën si pengesën kryesore për rrëzimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa theksoi se deri në zgjedhjet vendore do të përpiqet për bashkimin e opozitës.
“Do të bëj lëvizje dhe përpjekje të tjera nëse PD-ja nuk i fiton zgjedhjet lokale. Unë do të bëj përsëri lëvizje për të larguar Sali Berishën, si pengesën kryesore për të rrëzuar Edi Ramën”, u shpreh ai.
Ndër të tjera, ai tha se duhet të mblidhen të gjitha flukset opozitare, kryetarët e partive të tjera, si dhe protestusit
“Në politikë, as unë dhe askush tjetër nuk ka shkopin magjik për ta ndryshuar situatën brenda ditës. Do të bëj përpjekje deri në zgjedhjet lokale. Deri në zgjedhjet lokale, do të bëj çdo përpjekje që opozita të jetë e bashkuar dhe unë të kontribuoj, sepse bëhet fjalë për zgjedhje administrative. Në këtë moment, sepse ka kohë edhe për luftën, në këtë moment t’i lëmë luftën ndaj njëri-tjetrit, të mbledhim të gjitha flukset opozitare dhe kryetarët e partive të tjera, si dhe protestën”,- tha Salianji.












