Podujeva i dha fat Vushtrrisë. Pas shtatë ndeshjeve radhazi pa fitore në nisje të kampionatit, klubi me histori në futbollin e Kosovës më në fund gjeti rrugën drejt triumfit, duke e mposhtur Gjilanin me rezultat minimal 1-0 në stadiumin “Zahir Pajaziti”.
Të lidhura
None found
Përveç tre pikëve të para, ky sukses mund të shënojë një kthesë për një skuadër që, krahas problemeve në fushë, po lufton edhe me kushte të papërshtatshme për të zhvilluar sezonin.
Pasi u rikthye në elitën e futbollit kosovar, Vushtrria është e detyruar që ndeshjet si vendase t’i luajë larg qytetit, pasi stadiumi “Ferki Aliu” po kalon në proces rinovimi. Për këtë arsye, ekipi nuk ka pasur mundësi të mbështetet te një terren i qëndrueshëm shtëpiak dhe te atmosfera që zakonisht krijojnë tifozët e saj, grupi “Forca”.
Në tetë xhirot e para, Vushtrria i ka ndarë ndeshjet në disa stadiume të ndryshme. Dy here ka luajtur në fushën me bar sintetik në Hajvali, dy herë në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë, ndërsa sfida e fundit kundër Gjilanit u zhvillua në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Edhe pse formalisht ishte nikoqire në disa prej këtyre takimeve, në realitet skuadra është dashur të përshtatet vazhdimisht me terrene dhe rrethana të ndryshme.
Rezultatet e javëve të para e treguan qartë vështirësinë e këtij fillimi. Në xhiron e parë, Vushtrria u shkatërrua 6-1 nga Malisheva në Hajvali. Më pas pësoi humbje 2-1 nga Ballkani në Suharekë, 1-0 nga Drita në Hajvali dhe 1-0 nga Prishtina në Kampin Nacional në Hajvali. Vështirësitë vazhduan edhe në dy ndeshjet e zhvilluara në Malishevë, ku Llapi fitoi 4-0, ndërsa Drenica doli fituese 3-0.
Në xhiron e shtatë, Vushtrria humbi 3-1 në transfertë te Feronikeli 74, duke e çuar në tetë numrin e ndeshjeve pa fitore. Në tetë takimet e para, skuadra kishte shënuar vetëm katër gola dhe kishte pësuar 20, statistika që e bënin edhe më të domosdoshëm një reagim.
Ndryshimi në pankinë dhe përgjigjja ndaj Gjilanit
Në fillim të sezonit, ekipin e udhëhiqte Besnik Kollari, i cili më pas u dorëhoq. Fitorja e parë erdhi me Fitim Llapashticën si trajner, pikërisht në ndeshjen e tij debutuese. Vushtrriasve u mjaftoi një gol i Urim Statovcit për t’i marrë tri pikët dhe për t’i dhënë fund serisë negative.
Statovci realizoi në pjesën e dytë, në minutën e 58-të, duke i dhënë fund një periudhe të vështirë për ekipin. Goli ishte vendimtar në një ndeshje ku Vushtrria arriti ta ruante avantazhin deri në fund dhe të siguronte një fitore që mund të ndikojë jo vetëm në renditje, por edhe në moralin e skuadrës.
Pas ndeshjes, trajneri Fitim Llapashtica u shpreh i bindur te lojtarët, duke vlerësuar cilësinë dhe kontributin e tyre në rikthimin e klubit në Superligë.
“Këta futbollistë kanë vlerë. Ka lojtarë kampionë që e kanë ngritur Vushtrrinë në Superligë. Nuk ishte momenti i tyre”, tha Llapashtica.
Ai tregoi se skuadra kishte punuar gjatë gjithë javës për të identifikuar pikat e veta të forta dhe dobësitë e kundërshtarit, duke theksuar se Vushtrria e meriton të jetë në Superligë dhe se bllokada e rezultateve, sipas tij, tashmë i përket të shkuarës.
Në këtë proces, rol të rëndësishëm luan edhe stafi teknik, ku përveç Llapashticës përfshihen Mensur Maxhuni, Ilir Izmaku, Bashkim Shala dhe video-analisti Edison Hyseni. Fitorja e parë është një rezultat që mund t’ua bëjë punën më të lehtë dhe t’i japë grupit më shumë siguri për pjesën tjetër të kampionatit.
Daut Maxhuni: Stadiumi dhe tifozët kanë qenë arma jonë kryesore
Për kapitenin Daut Maxhuni, triumfi kundër Gjilanit erdhi në një moment kyç, pas problemeve që e shoqëruan skuadrën në startin e sezonit. Në një intervistë për Telegrafin, ai shpresoi se këto tri pikë do të kenë efekt pozitiv te futbollistët dhe do t’u japin shtysë për ndeshjet që vijnë.
“Është me të vërtetë një fitore e rëndësishme dhe ka ardhur në momentin më të duhur për ekipin, pasi kemi pasur shumë telashe në fillim të kampionatit. Besoj se do të ndikojë pozitivisht te skuadra”, u shpreh Maxhuni.
Kapiteni pranoi hapur se mungesa e stadiumit dhe e kushteve normale ka ndikuar te lojtarët. Sipas tij, tifozët dhe fusha vendase kanë qenë ndër armët më të fuqishme të Vushtrrisë, ndërsa tani skuadra duhet të luftojë edhe me vështirësi në stërvitje.
“Ne, si klub, të them të drejtën, frymëzimin dhe armën tonë më të fortë i kemi pasur tifozët dhe stadiumin vendas. Që na ka penalizuar, nuk diskutohet. Edhe kushtet ku po përgatitemi për momentin nuk janë aspak të mira, pasi në stadium kanë nisur punimet. Duhet të përballemi me shumë gjëra”, tha ai.
Maxhuni shpreson që të ndërmerren masa për përmirësimin e fushës në Dobërllukë, në mënyrë që Vushtrria të mund t’i luajë ndeshjet e pranverës si vendase. Deri atëherë, ekipi duhet të vazhdojë të përshtatet me situatën dhe të synojë pikë në stadiume që nuk janë shtëpia e tij.
“Klubi është mbi të gjithë”
Për Maxhunin, vështirësitë e këtij sezoni kanë qenë të jashtëzakonshme. Kapiteni tregoi se, edhe pse gjatë karrierës së tij ka kaluar periudha të vështira, gjendja e klubit në fillim të këtij kampionati ishte ndryshe. Ai vendosi të qëndrojë, duke e lidhur këtë vendim me dashurinë që ka për Vushtrrinë që nga fëmijëria.
“Si kapiten, të jem i sinqertë, kemi hasur vështirësi të mëdha gjatë rrugës, për ambicie të ndryshme. Por, kësaj radhe situata është krejt tjetër. Gjendja në klub nuk ka qenë e mirë në fillim të sezonit, për arsye tashmë të njohura, por nuk kam dashur të largohem e ta lë klubin në atë gjendje. Dashuria që kam pasur si fëmijë dhe shumë rrethana më kanë mbajtur besnik”, deklaroi ai.
Mesazhi i kapitenit është se interesat e klubit duhet të jenë mbi ato personale, veçanërisht në momentet kur rezultatet dhe rrethanat nuk janë në favor të skuadrës.
“Individët vijnë e ikin, por klubi qëndron mbi të gjithë. Në këtë gjendje ku ndodhet klubi, duhet një mobilizim shumë më i madh. Situata dhe atmosfera te djemtë, por edhe në qytet, kanë ndryshuar për mirë pas fitores së fundit. Besojmë se në ndeshjet e ardhshme do të tregojmë rezultate edhe më të mira. Natyrisht, kjo rrugë nuk do të jetë e lehtë”, shtoi Maxhuni.
Rinovimi i stadiumit, një sfidë që shkon përtej rezultateve
Rinovimi i stadiumit “Ferki Aliu” është një investim i rëndësishëm për të ardhmen e klubit, por në të tashmen e ka lënë Vushtrrinë pa një nga elementët më jetikë për një ekip futbolli: fushën e saj. Projekti për zgjerimin dhe rinovimin e stadiumit parashikohet të realizohet sipas standardeve të kategorisë II të UEFA-s, me mbi 4.000 vende dhe tribuna të mbuluara në të gjitha anët.
Megjithatë, deri në përfundimin e punimeve, skuadra duhet ta përballojë sfidën e zhvillimit të ndeshjeve larg qytetit, ndërkohë që përpiqet të përmirësojë rezultatet dhe të largohet nga fundi i tabelës.
Fitorja kundër Gjilanit nuk i zgjidh të gjitha problemet e Vushtrrisë, por i jep klubit një arsye për të besuar se gjërat mund të ndryshojnë. Pas shtatë disfatave radhazi, tri pikët në Podujevë mund të shërbejnë si pikënisje për një kapitull të ri, në të cilin skuadra do të duhet të provojë se mund t’i kapërcejë vështirësitë sportive dhe ato jashtë fushës.
Për Vushtrrinë, sfida e radhës nuk është vetëm të fitojë ndeshje, por të ruajë unitetin dhe besimin në një sezon që nisi në rrethana të vështira. Dhe nëse Podujeva ishte vendi ku erdhi reagimi i parë, tani mbetet për t’u parë nëse ky sukses do të kthehet në fillimin e një serie më pozitive.







