Thellohet skandali i lobistëve të Trump në Ballkan/ Bosnja kërkon nga Departamenti amerikan i Drejtësisë të verifikojë Continental Strategy, firmën që ka punuar edhe për Berishën

12 Tetor 2026, 22:25Rajoni TEMA
Thellohet skandali i lobistëve të Trump në Ballkan/ Bosnja

Çështja e lobimit të Republika Srpska në Shtetet e Bashkuara ka mbërritur zyrtarisht në Uashington, pasi ministri i Jashtëm i Bosnje-Hercegovinës, Elmedin Konaković, u ka dërguar 15 letra drejtuesve të institucioneve kryesore amerikane, duke kërkuar verifikimin e aktiviteteve lobuese të entitetit serb dhe shqyrtimin e mundësisë së sanksioneve ndaj Milorad Dodikut dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Sipas Euronews Bosnia, letrat i janë dërguar Sekretarit amerikan të Shtetit Marco Rubio, Sekretarit të Thesarit Scott Bessent dhe zyrtarit të lartë të Departamentit të Drejtësisë Todd Blanche, si edhe drejtuesve dhe anëtarëve kryesorë të disa komisioneve të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve.

Një nga kompanitë e përmendura në këtë korrespondencë është Continental Strategy LLC, firmë amerikane lobimi e angazhuar nga Republika Srpska. Emri i saj është i njohur edhe në Shqipëri, pasi e njëjta kompani ka punuar më herët për Sali Berishën dhe Partinë Demokratike, ndërsa Chris LaCivita, një tjetër emër që përmendet në raportimet rreth lobimit të Republika Srpska, ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në fushatën e Berishës.

Fokusi i kërkesës së Konaković është te aktiviteti i financuar nga Republika Srpska në SHBA dhe te pyetja nëse ai ka shërbyer për objektiva që bien ndesh me rendin kushtetues të Bosnje-Hercegovinës.

Në qendër të letrave është një vendim i Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës që lidhet me një kontratë lobimi të lidhur nga përfaqësia e Republika Srpska në Vjenë me kompaninë kanadeze Dickens & Madson. Sipas dokumenteve të cituara, një prej objektivave të kësaj kontrate ishte promovimi i pavarësisë së Republika Srpska.

Konaković thekson se Gjykata ka ndaluar përdorimin e fondeve publike të entitetit për aktivitete lobuese që bien ndesh me Kushtetutën e Bosnje-Hercegovinës ose me vendimet detyruese të institucioneve të saj. Vendimi ndalon gjithashtu pagesat e mëtejshme në kuadër të marrëveshjeve të tilla dhe rithekson se Republika Srpska nuk ka sovranitet apo të drejtë për shkëputje.

Pikërisht mbi këtë bazë, ministri boshnjak kërkon që institucionet amerikane të verifikojnë edhe marrëveshjet e tjera lobuese të financuara nga Republika Srpska në Shtetet e Bashkuara.

Në letrën drejtuar Departamentit të Drejtësisë, Konaković kërkon që struktura përgjegjëse për zbatimin e ligjit FARA të shqyrtojë saktësinë e deklarimeve dhe shtrirjen reale të aktiviteteve të firmave të angazhuara nga Republika Srpska, duke përmendur konkretisht Continental Strategy LLC.

Në të njëjtat letra përmenden edhe raportimet mediatike për Chris LaCivita dhe James Blair, por Konaković thekson se Bosnje-Hercegovina nuk paragjykon rezultatin e ndonjë hetimi dhe kërkon vetëm që autoritetet amerikane të verifikojnë nëse aktivitetet janë deklaruar dhe zhvilluar në përputhje me ligjin.

Paralelisht, nga Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, kërkohet që OFAC të shqyrtojë nëse Dodik dhe persona të lidhur me të plotësojnë kushtet për sanksione sipas legjislacionit amerikan dhe urdhrave ekzekutivë që lidhen me Ballkanin Perëndimor.

Konaković e lidh çështjen edhe me sigurinë energjetike. Në letrën drejtuar Marco Rubios, ai kundërshton planet për një gazsjellës të ri përmes Serbisë që do të sillte vetëm gaz rus në Bosnje-Hercegovinë, duke argumentuar se një projekt i tillë do ta thellonte varësinë e vendit nga Moska.

Në të njëjtën kohë, ai paraqet projektin e interkonjeksionit jugor me Kroacinë si alternativën që përputhet me politikën amerikane të diversifikimit të burimeve energjetike në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Me dërgimin e këtyre letrave, çështja e lobimit të Republika Srpska nuk mbetet më vetëm një debat i brendshëm në Bosnje-Hercegovinë. Ajo është zhvendosur te Departamenti i Shtetit, Departamenti i Thesarit, Departamenti i Drejtësisë dhe Kongresi amerikan, ku Konaković po kërkon që të shqyrtohen si flukset financiare, ashtu edhe qëllimet politike të aktivitetit lobues të financuar nga Banja Luka.

Lini një Përgjigje