Deputetja e PS Sara Mila ka komentuar në emisionin “Top Story” votimin e Reformës Territoriale në Kuvend, duke mbrojtur qëndrimin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe disiplinën në votim.
"Ne nuk kemi detyrim të votojmë ndryshe për t'i provuar ndokujt se sa vlen kartoni personal që kemi, i cili në fakt nuk do duhet të jetë personal dhe unë personalisht nuk e gjykoj personal. Partitë politike janë aty, sepse mblidhen njerëz me të njëjtat parime me njëri-tjetrin dhe pa diskutim, të shkuarit në një vendim të përbashkët është rregull për këtë familje politike. Një parti politike nuk mund të jetë një trampolinë personale ku ti merr mandatin dhe pasi merr mandatin ti tashmë ke një liri absolute që këtë karton apo këtë mandat ta lëvizësh si të të interesojë ty më mirë për interesat e tua personale apo vetëm të një grupi njerëzish. Unë jam e besimit që ne kemi ndjekur një rregull disiplinar që në fakt e shikojmë sot që ndodh në Bundestag, e shohim edhe në parlamentin anglez", u shpreh Mila në Top Story.
Më tej ajo theksoi se ky është një mandat i fortë i Partisë Socialiste, një mandat që qytetarët ia kanë votëbesuar PS-së për ta çuar Shqipërinë në Bashkimin Europian.
"Nuk e mendoj të arsyeshme që unë të kthej një votë kundër, e para, kur deri më tani në Kuvendin e Shqipërisë kam kaluar vetëm projektligje që kanë lidhje me Bashkimin Europian dhe kam kaluar një reformë territoriale, të cilën fatmirësisht ka qenë edhe e para e renditur në programin e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 2025-ës", theksoi deputetja e Elbasanit.
"Përgjegjësia dhe jo forca e 83 mandateve do ta çojë Shqipërinë në Bashkimin Europian", theksoi ajo.
Lini një Përgjigje