Deputeti socialist Erion Braçe ka kritikuar projektin e ri të reformës territoriale, duke vënë në pikëpyetje kompetencat që parashikohet t’u kalojnë bashkive dhe mënyrën se si po zhvillohet debati brenda Partisë Socialiste.
I ftuar përmes një lidhjeje me video në emisionin “Top Story”, Braçe u shpreh se ndryshimet e propozuara nuk sjellin, sipas tij, një rishpërndarje reale të pushtetit drejt njësive vendore. Ai solli si shembull bashkinë e Divjakës, ku strehimi social përballet me kufizime për shkak të karakteristikave të zonës, ndërsa shpërndarjen e broshurave për biznesin e vogël nuk e konsideroi një kompetencë thelbësore për pushtetin vendor.
Sipas deputetit, reforma duhej të shfrytëzohej për të forcuar autonominë e bashkive dhe për t’u dhënë më shumë vendimmarrje strukturave që janë në kontakt të përditshëm me qytetarët. Ai theksoi se decentralizimi nuk duhet të kufizohet te transferimi i kompetencave nga qeveria qendrore te kryetarët e bashkive, por duhet të shtrihet edhe te njësitë administrative.
Braçe tha se do ta mbështeste një reformë që synon përmirësimin e qeverisjes, por ngriti pikëpyetje edhe për statusin që do të kenë qytetet e krijuara nga riorganizimi i propozuar. Në vlerësimin e tij, procesi aktual përbën një mundësi të humbur për të realizuar ndryshime më të thella.
Gjatë diskutimit, deputeti foli edhe për qëndrimin e kryeministrit Edi Rama ndaj votës së tij në Kuvend. Sipas Braçes, Rama i ka thënë se nëse voton kundër reformës, do të përjashtohet nga grupi parlamentar socialist.
“Rama tha: nëse ti voton kundër, je jashtë këtij Grupi Parlamentar. Jo kush voton, por ‘ti’”, u shpreh Braçe, duke kundërshtuar atë që e cilësoi si deformim të demokracisë brenda PS-së.
Deputeti kujtoi gjithashtu se harta territoriale e vitit 2014 u hartua nën një mazhorancë politike dhe argumentoi se ndarja e re nuk duhet të përcaktohet nga interesat partiake.
“Ti thuash tjetrit që do votosh si shumica, nuk është demokraci”, deklaroi Braçe, duke shtuar se një reformë e mirëfilltë duhet të synojë transferimin e pushtetit dhe jo thjesht ndryshimin e hartës administrative.














