BERAT- Një aksident i rëndë është regjistruar pas mensate në By Pass-in e Beratit ku janë përfshirë 3 të mitur, të moshës 16-vjeçare, që lëviznin me motorë elektrikë. Tre të miturit dyshohet se kanë qenë duke bërë gara me njëri-tjetrin, kur kanë humbur kontrollin e mjeteve në rreth-rrotullim dhe janë përplasur.

Si pasojë e aksidentit, të tre 16-vjeçarët kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar me urgjencë në spital. Dy prej tyre, të cilët kanë pësuar dëmtime të rënda në kokë, janë nisur me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërkohë, i mituri i tretë ndodhet i shtruar në Spitalin e Beratit, me fraktura të shumta, por jashtë rrezikut për jetën.

Sipas burimeve nga Spitali i Traumës, të dy të miturit kanë pësuar politraumë dhe ndodhen në reanimacion, në gjendje të rëndë shëndetësore. Ata po mbahen nën monitorim intensiv.

Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të Policisë Rrugore, të cilat po kryejnë veprimet e para hetimore për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e këtij aksidenti të rëndë.