Administrata e Donald Trump po e përdor lehtësimin e kufizimeve për eksportet ruse të naftës si mjet diplomatik, me synimin që Vladimir Putin të rikthehet në negociata për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Të lidhura
None found
Plani iu paraqit zyrtarëve ukrainas të premten, në një takim në Miami, thanë tre persona të informuar mbi diskutimet.
Steve Witkoff, i dërguari i posaçëm i Trump për Lindjen e Mesme, dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, u shpjeguan përfaqësuesve të Ukrainës se marrëveshja për naftën është pjesë e përpjekjeve të Uashingtonit për të ringjallur bisedimet e paqes, pas dështimit të nismave të mëparshme diplomatike.
Burimet thanë se zyrtarët amerikanë pranuan që Putin për momentin nuk është i gatshëm të negociojë për përfundimin e luftës. Megjithatë, ata argumentuan se një marrëveshje ekonomike mund të hapë rrugën për rifillimin e bisedimeve trepalëshe mes SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës.
Në takimin e Miamit u diskutua edhe kërkesa e administratës Trump që Kievi të ndalë goditjet ndaj rafinerive ruse të naftës.
Sipas personave të njohur me takimin, Kushner përsëriti se Uashingtoni i ka kërkuar disa herë Ukrainës t’i ndërpresë këto sulme. Shtëpia e Bardhë thotë se goditjet ndaj infrastrukturës energjetike të Rusisë kontribuojnë në rritjen e çmimeve ndërkombëtare të karburantit.
Qasja e administratës amerikane është që Ukraina të ndalë sulmet, ndërsa Rusia të përfitojë nga lehtësimi i kufizimeve për naftën. Në këtë mënyrë, Moska do të përballej me trysni diplomatike për të bërë lëshime në këmbim.
Propozimi ka shkaktuar shqetësim në Kiev dhe në Kongresin amerikan. Kritikët druhen se të ardhurat shtesë nga eksportet e energjisë do të forcojnë ekonominë ruse dhe do të ndihmojnë në financimin e luftës, pa siguruar lëshime nga Kremlini.
Alexander Novak, zëvendëskryeministri rus përgjegjës për energjinë, tha se Rusia mund të rrisë furnizimet me produkte nafte në tregjet ndërkombëtare deri në 3.5 milionë tonë në muaj deri në fund të vitit.
Novak deklaroi se rritja do të bëhet me hapa gradualë: 300 mijë tonë në tetor, 500 mijë tonë në nëntor dhe një milion tonë në dhjetor, përpara se të arrihet kapaciteti i synuar.
Administrata Trump e ka arsyetuar zbutjen e përkohshme të kufizimeve me mundësinë që furnizimet shtesë të ulin çmimet e energjisë në SHBA. Çmimi i karburantit është një çështje politikisht e ndjeshme për republikanët, përpara zgjedhjeve të mesmandatit më 3 nëntor.
Ndërkohë, mbetet e paqartë se çfarë ndikimi do të ketë vendimi në treg, pasi zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe lufta në Iran po ushtrojnë ende trysni mbi tregun global të energjisë.
Putin synon përfitime territoriale, ndërsa Ukraina kundërshton lëshimet
Plani diplomatik i SHBA-së për ta kthyer Moskën në negociata ndeshet me mosbesimin e Ukrainës dhe të disa vendeve evropiane ndaj synimeve të Kremlinit.
Një person pranë Kremlinit tha se Putin mund të pranojë të rikthehet në bisedime nëse siguron 11% të mbetur të Donbasit. Moska synon kontrollin e plotë të këtij territori, të cilin do t’ia paraqiste publikut rus si fitore.
Kievi ka deklaruar se nuk do t’i dorëzojë Rusisë territore të tjera. Megjithatë, Ukraina nuk e ka përjashtuar mundësinë e një marrëveshjeje për ngrirjen e konfliktit përgjatë vijave aktuale të frontit.
Trump ka përmendur gjithashtu mundësinë e një armëpushimi energjetik mes Rusisë dhe Ukrainës, por palët nuk kanë konfirmuar deri tani se kanë arritur një marrëveshje të tillë. Rusia vazhdon sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, ndërsa Kremlini ka refuzuar propozimin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për një armëpushim të plotë 60-ditor.
Gjatë bisedimeve në Miami, zyrtarët amerikanë nuk kërcënuan se do të ndërprisnin ndihmën ushtarake ose shkëmbimin e të dhënave të inteligjencës, në rast se Ukraina nuk pranonte të ndalte sulmet ndaj rafinerive ruse.
Marrëveshja për naftën ka shtuar përplasjet mes Kievit dhe Uashingtonit. Volodymyr Zelensky e quajti vendimin amerikan një “dhuratë për Putinin”, duke thënë se lehtësimi i kufizimeve i jep forcë ekonomike Rusisë ndërsa ajo vazhdon agresionin ushtarak.
Trump, nga ana e tij, ka kritikuar publikisht Zelenskyn dhe ka pretenduar se presidenti ukrainas ka pasur shumë mundësi për t’i dhënë fund luftës.
Megjithë mospajtimet, diskutimet mes palëve kanë vazhduar për garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe financimin e rindërtimit të vendit. Në takimin në Miami morën pjesë edhe zyrtarë evropianë, ndërsa përfaqësues të Bankës Botërore u lidhën përmes internetit.
Sipas burimeve të informuara mbi bisedimet, përfaqësuesit ukrainas u larguan pa marrë ndonjë angazhim zyrtar. Ata, megjithatë, lanë të kuptohej se mund të shqyrtonin një armëpushim energjetik, nëse Rusia do të vepronte njësoj.







