Memorie.al / Edhe pse ishte shteti më i varfër i Europës dhe një ndër vendet me nivel më të ulët jetese në të gjithë botën, regjimi komunist i Tiranës me në krye Enver Hoxhën dhe pasardhësin e tij Ramiz Alia, financonte dhe shpenzonte miliona dollarë, për të ndihmuar Partitë Komuniste marksiste-leniniste, individë dhe grupe të tjera të majta nga e gjithë bota, duke u akorduar atyre fonde, për udhëtime, bileta avioni, fatura hoteli, bursa dhe të drejta studimi, botime të ndryshme, përkthime librash dhe literature politike, blerje materialesh e pajisjesh, vizita dhe pushime në Shqipëri,  etj., etj. I krijuar në vitin 1964, nën emërtesën “Fondi i Solidaritetit”, (me Vendimin Nr. 190, të datës 10 qershor 1964 të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së), i cili mbante firmën e Enver Hoxhës., përmes kësaj llogarie sekrete u alokuan dhe u shpërndanë miliona dollarë (rreth 12 milionë USD përgjatë viteve 1964–1991), për të financuar dhe mbështetur partitë, lëvizjet dhe grupet komuniste marksiste-leniniste në vende të ndryshme të botës.

Duke iu referuar disa dokumenteve arkivore, harta e shpërndarjes së “Fondit të Solidaritetit” nga ana e udhëheqjes së lartë të PPSh-së, përfshinte shtete nga të pesë kontinentet, duke filluar nga ai amerikan: Brazili, Peruja, Kolumbia, SHBA-ës, Ekuadori, Bolivia, Venezuela, Kili, Argjentina, Uruguaj, Republika Domenikane, Haiti etj. Në kontinentin afrikan: Sudani, Somalia, Kongo, Kongolo Leo Pold Vil, Malgashi, Mozambiku, Namibia, Zimbabve, Angola, Togo, Volta e Sipërme, Gaboni, Egjypti etj..

Gjithashtu mund të lexoni

“Për trimërinë dhe guximin e treguar në ‘vrasjen dhe masakrimin e mijëra shqiptarëve në Kosovë’, kryekrimineli Millosheviç, u dha ‘Urdhrin e Trimërisë’ …”/ Refleksionet e publicistit të njohur

“Tirana është prishur me Bashkimin Sovjetik në 1961-in dhe Stalini tashmë dënohet si diktator në BRSS, ndërsa në Shqipëri ai është ende pjesë e …”/ Gazeta “New York Times”, qershor, 1988

Në kontinentit aziatik: Irani, Iraku, Libani, Ceiloni, Japonia, India, Laosi, Jordania, Siria etj. Në kontinentin Australi – Oqeani: Australia, Zelanda e Re, Filipinet,  Indonezia etj. Në kontinentin evropian: Franca, Italia, Polonia, Belgjika, Austria, Spanja, Zvicra, Holanda, Portugalia, Anglia, Greqia, Suedia, Norvegjia, Finlanda, Danimarka, Rumania, Gjermania, Jugosllavia etj.

Sipas një vendimi të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së të vitit 1964, kur dhe u krijua “Fondi i Solidaritetit”, të drejtën për akordimin e fondeve për grupet dhe partitë komuniste marksiste-leniniste apo individë të ndryshëm “miq të Shqipërisë”, e kishte vetëm sekretari i Përgjithshëm i Partisë, Enver Hoxha, kurse pas vdekjes së tij në 1985-ën, atë e “trashëgoi” Ramiz Alia dhe bashkë me të, edhe Foto Çami, anëtari i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror për propagandën, artin e kulturën dhe marrëdhëniet me jashtë. (Në fundin e vitit 1990, me Fondin e Solidaritetit, është marrë dhe ka firmosur edhe Spiro Dede, si sekretar i Komitetit Qendror të PPSH-së).

Pas vendimit të tyre, me shpërndarjen e fondeve merrej shefi i Sektorit për Marrëdhëniet me Jashtë pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Agim Popa, firmës së të cilit, i bashkëngjitej edhe ajo e Sabaudin Kodrës, shefi i sektorit të Financës në Komitetin Qendror dhe Sadik Pirit. (Pas daljes së tij në pension në vitin 1988, u caktua Flutra Arianiti).

“Fondi i Solidaritetit”, (apo siç njihej ndryshe; “Llogaria 19”) dhe e gjithë praktika e shpërndarjes së tij, ishte “Tepër sekret” dhe për gjithçka lidhej me të, nuk duhet të kishte dijeni askush tjetër, përveç personave të sipërcituar dhe drejtorit të Bankës së Shtetit Shqiptare, Kamber Myftari, si dhe pjesërisht titullarët kryesorë të disa prej ambasadave përkatëse shqiptare të akredituara në vende të ndryshme të botës, të cilëve u xhiroheshin çeqe për t’i shpërndarë personave të caktuar, (grupeve dhe Partive Komuniste Marksiste-Leniniste), sipas vendimit të Komitetit Qendror të PPSH-së.

Për herë të parë për “Fondin e Solidaritetit”, u fol vetëm në vitin 1992, pas rrëzimit të regjimit komunist, ku në kuadrin e hetimeve për privilegjet dhe favoret financiare e shpenzimet të tepërta të familjeve të ish-udhëheqjes së lartë të PPSH-së, (kryesisht ato që kishin jetuar në “Bllok” në Tiranë), Kontrolli i Lartë i Shtetit, me kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, hartoi një raport të hollësishme me të gjitha të dhënat financiare e bilancet që nga viti 1964, deri në vitin 1991.

Por ajo që mbeti e paqartë edhe pas atij raporti, madje një enigmë e madhe që nuk është sqaruar ende dhe sot pas 36 viteve të shembjes së regjimit komunist, ishte origjina e atij fondi?! As Ramiz Alia me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, anëtarë të Byrosë Politike dhe sekretarë të Komitetit Qendror, nuk e zbardhën atë enigmë dhe nuk folën asnjë fjalë, gjatë procesit të tyre hetimor dhe gjyqësor, si dhe vuajtjes së dënimit me burg në vitet 1933-1997.

Por, pas viteve ’90-të, disa ish-funksionarë dhe zyrtarë të regjimit komunist, kanë pohuar në intervista të ndryshme në media, sikur ai fond ishte akorduar Komitetit Qendror të PPSH-së, nga Partia Komuniste e Kinës, që në fillimin e viteve ’60-të, dhe “asnjë qindarkë” nuk ka pasur në atë fond, nga buxheti i shtetit, apo burime të tjera financiare. Ky version për origjinën e “Fondit të Solidaritetit”, edhe mund të ketë deri diku një të vërtetë, pasi në një nga dokumentet arkivore që do publikojmë në këtë shkrim, në janarin e vitit 1991, kur dhe u mbyll përfundimisht ai fond, Ramiz Alia, në mes të tjerash ka shkruar: “Ligji i ri për zgjedhjet, nuk lejon financime nga jashtë, prandaj dhe mund të bëhet zhurmë…”!

Gjithsesi, sa më sipër mbetet për t’u investiguar më tej në dokumentet arkivore të ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, pasi siç do shikojmë edhe nga disa dokumente që do publikojmë në këtë seri shkrimesh për “Fondin e Solidaritetit”, edhe pse destinacioni i atij fondi ishte për “grupet, partitë marksiste-leniniste”, apo “miqtë e Shqipërisë”, ai është prekur edhe për qëllime të tjera, siç ishte blerja e një shtypshkronje për gazetën “Zëri i Popullit”, Pallatin e Kongreseve, etj., apo janë depozituar në bankat e huaja, si në Francë etj., me qëllim marrje interesash bankare. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin këto dokumente arkivore të cilat janë nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat botohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al

                                                                     Vijon nga numri kaluar

DOKUMENTI ARKIVOR ME VENDIMIN E SEKRETARIT TË PARË TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH, RAMIZ ALIA, MBI PËRDORIMIN E FONDIT TË SOLIDARITETIT GJATË VITIT 1987 PËR PARTITË DHE LËVIZJET MARKSISTE-LENINISTE, NË SHUMËN E 75.000 USD

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË                                                                Tepër sekret

SEKRETARIATI I KOMITETIT QENDROR

Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni! 

VENDIM

                 Nr. 22 Datë 11.3.1987

MBI PËRDORIMIN E FONDIT TË SOLIDARITETIT GJATË VITIT 1987 PËR PARTITË DHE LËVIZJET MARKSISTE-LENINISTE

Sekretariati i Komitetit Qendror të PPSH, në datën 11.3.1987,

                       Vendosi:

I. Nga fondi i solidaritetit që ka në dispozicion Sekretariati i Komitetit Qendror të PPSH-së, për vitin 1987 të vihet në dispozicion për nevoja të partive marksiste-leniniste një shumë prej 20.000 dollarësh. Autorizohet Sekretari i Komitetit Qendror ta përdorë këtë shumë, duke gjykuar konkretisht kërkesat e mundshme nga partitë marksiste-leniniste.

II. Për shpenzime udhëtimi e dieta për delegacionet e partive marksiste-leniniste dhe miqtë e ftuar nga Komiteti Qendror i PPSH-së, me pushime, mjekime etj., të vihen në dispozicion 45.000 dollarë.

III. Për shpenzime të propagandës (botime librash, ndihmë për shtëpitë botuese jashtë shtetit që botojnë materialet tona, abonime dhe blerje librash etj.) të vihen në dispozicion 10.000 dollarë.

IV. Me zbatimin e këtij Vendimi ngarkohet Sektori i Jashtëm i Komitetit Qendror të PPSH.

SEKRETARI I PARË I KOMITETIT QENDROR

                    TË PARTISË SË PUNËS TË SHQIPËRISË

                                 RAMIZ ALIA

Nr. 1092 Prot. Datë 12.3.1987

SEKTORIT TË JASHTËM

                                          K Ë T U

DOKUMENTI ARKIVOR ME VENDIMIN E SEKRETARIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH, FOTO ÇAMI, PËR AKORDIMIN NGA FONDI I SOLIDARITETIT SHUMËN E 5.000 USD, PARTISË KOMUNISTE POPULLORE TË REPUBLIKËS DOMENIKANE

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

KOMITETI QENDROR                                                                           Tiranë, më 1987

Nr. Prot.

LANDA:

          FINANCËS SË APARATIT TË KOMITETIT QENDROR

    KËTU

Në përputhje me vendimin e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH, Nr.22, dt. 11.3.1987, t’i jepet Partisë Komuniste Popullore të Republikës Domenikane, një ndihmë prej 5000 (pesë mijë) dollarë, nga fondi i solidaritetit.

                       SEKRETARI I KOMITETIT QENDROR                                            

                               FOTO ÇAMI

DOKUMENTI ARKIVOR ME VENDIMIN E SEKRETARIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH, FOTO ÇAMI, PËR AKORDIMIN NGA FONDI I SOLIDARITETIT SHUMËN E 5.000 USD, PARTISË KOMUNISTE TË FILIPINEVE

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

KOMITETI QENDROR                                                                      Tiranë më 7.11.1987

Nr. Prot.

LËNDA

FINANCËS SË APARATIT TË KOMITETIT QENDROR

KËTU

Në përputhje me vendimin e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH, Nr.22, dt.11.3.1987 t’i jepet Partisë Komuniste të Filipineve, një ndihmë prej 5.000 (pesë mijë) dollarë, nga fondi i solidaritetit.

                      SEKRETARI I KOMITETIT QENDROR

                               FOTO ÇAMI

DOKUMENTI ARKIVOR ME RELACIONIN E SHEFIT TË SEKTORIT TË JASHTËM TË APARATIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH, AGIM POPA, MBI PËRDORIMIN E FONDIT TË SOLIDARITETIT GJATË VITIT 1987 DHE PROPOZIMET E BËRA PËR VITIN 1988

                                                                                                  Tepër sekret

                RELACION

MBI PËRDORIMIN E FONDIT TË SOLIDARITETIT GJATË VITIT 1987 DHE PROPOZIMET PËR VITIN 1988

Gjatë vitit 1987 u bënë këto shpenzime:

Ndihmë financiare partive marksiste-leniniste 10.000 dollarë, nga 20.000 dollarë që u vunë në dispozicion sipas Vendimit nr.22, datë 11.3.1987 të Sekretariatit të Komitetit Qendror.

Për udhëtimet e delegacioneve të partive m-l dhe miqve, të ftuar nga KQ i PPSH, u shpenzuan 21.696,76 dollarë, nga 45.000 dollarë të parashikuar në Vendimin e Sekretariatit të Komitetit Qendror.

Për propagandën u shpenzuan 1.199,38 dollarë, nga 10.000 dollarë që parashikonte Vendimi.

Bashkëngjitet bilanci i arkës për veprimet e vitit 1987.

Vazhdon të mos na kthehet shuma prej 4 milion dollarë (tërhequr me Vendim të Këshillit të Ministrave nr.23, datë 27.1.1983) dhe 750.000 dollarë (tërhequr me Vendim të Këshillit të Ministrave nr.295, datë 24.9.1985), për rrjedhojë nuk kemi marrë edhe interesin bankar përkatës.

                        Shefi i Sektorit të Jashtëm

                                 Agim Popa

22.2.1988

DOKUMENTI ARKIVOR ME RELACIONIN E SEKTORIT TË FINANCËS SË APARATIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH, MBI GJENDJEN FINANCIARE TË FONDIT TË SOLIDARITETIT GJATË VITEVE 1986 – 1987

GJENDJA E FONDIT TË SOLIDARITETIT

Gjendja me 31.12.1986 _______2.353.477,68 $

Tërhequr:

Vendimi KM nr.23, dt. 27.1.1983 ___ 4.000.000,00 $

(Afati i kthimit: në dy këste nga 2 milion, në vitet 1984 dhe 1985.

Nga këto u kthyen 0.5 milion më 15.12.1984 dhe u tërhoqën përsëri më 16.3.1985.

Vendimi i KM nr.26, dt. 1.10.1984 e shtyn afatin e kthimit për vitin 1986)

Vendimi KM nr.295, dt. 24.9.85 _____ 750.000,00 $

(Deri tani janë tërhequr ____________ 730.000,00 $)

(Shlyerja e 4 milionëve që do të bëhej më 1986 nuk u realizua. Thonë se afati është shtyrë përsëri me një vendim të ri të KM. Në këtë mënyrë në humbasim interesin bankar, që i kalon disa herë shpenzimet tona vjetore).

Gjendja më 31.12.1987 2.416.885,04 $

DOKUMENTI ARKIVOR ME VENDIMIN E SEKRETARIT TË PARË TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH, RAMIZ ALIA, MBI PËRDORIMIN E FONDIT TË SOLIDARITETIT GJATË VITIT 1988, PËR PARTITË DHE LËVIZJET MARKSISTE-LENINISTE, NË SHUMËN E 75.000 USD

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË                                                        Tepër sekret

SEKRETARIATI I KOMITETIT QENDROR

Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni! 

 VENDIM

Nr. 22 Datë 25.2.1988

MBI PËRDORIMIN E FONDIT TË SOLIDARITETIT GJATË VITIT 1988 PËR PARTITË DHE LËVIZJET MARKSISTE-LENINISTE

Sekretariati i Komitetit Qendror të PPSH, në datën

25.2.1988,

                      Vendosi:

I. Nga fondi i solidaritetit që ka në dispozicion Sekretariati i Komitetit Qendror të PPSH-së, për vitin 1988 të vihet në dispozicion për nevoja të partive marksiste-leniniste një shumë prej 20.000 dollarësh. Autorizohet Sekretari i Komitetit Qendror ta përdorë këtë shumë, duke gjykuar konkretisht kërkesat e mundshme nga partitë marksiste-leniniste.

II. Për shpenzime udhëtimi e dieta për delegacionet e partive marksiste-leniniste dhe miqtë e ftuar nga Komitetit Qendror i PPSH, me pushime, mjekime etj., të vihen në dispozicion 45.000 dollarë.

III. Për shpenzime të propagandës (botime librash, ndihmë për shtëpitë botuese jashtë shtetit që botojnë materialet tona, abonime dhe blerje librash etj.), të vihen në dispozicion 10.000 dollarë.

IV. Me zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Sektori i Jashtëm i Komitetit Qendror të PPSH.

               SEKRETARI I PARË I KOMITETIT QENDROR

               TË PARTISË SË PUNËS TË SHQIPËRISË

                            RAMIZ ALIA

Nr. 1224 Prot. Datë 25.2.1988

SEKTORIT TË JASHTËM

K Ë T U

DOKUMENTI ARKIVOR ME VENDIMIN E SEKRETARIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH, FOTO ÇAMI, PËR AKORDIMIN NGA FONDI I SOLIDARITETIT I SHUMËS 800 USD, PARTISË KOMUNISTE TË PERUSË

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË                                                         Tiranë, më 4.5.1988

KOMITETI QENDROR

Nr. Prot.

LËNDA:

Financës së Aparatit të Komitetit Qendror

Këtu

Në përputhje me Vendimin e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Nr.22, datë 25.2.1988 t’i jepet Partisë Komuniste Peruane (marksiste-leniniste) një ndihmë prej 800 (tetëqind) dollarë nga fondi i solidaritetit.

                    Sekretari i Komitetit Qendror

                               Foto Çami

DOKUMENTI ARKIVOR ME VENDIMIN E SEKRETARIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH, FOTO ÇAMI, PËR AKORDIMIN NGA FONDI I SOLIDARITETIT I SHUMËS 500 FRANGA, PARTISË KOMUNISTE TË BRAZILIT

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË                                                      Tiranë, më 1.6.1989

KOMITETI QENDROR

Nr. Prot.

L Ë N D A: Financës së Aparatit të Komitetit Qendror

K ë t u

Nga fondi i Solidaritetit të jepen 5000 (pesë mijë) franga franceze për delegacionin e Partisë Komuniste të Brazilit.

                   Sekretari i Komitetit Qendror

                             Foto Çami

DOKUMENTI ARKIVOR ME RELACIONIN E SEKTORIT TË FINANCËS SË KOMITETIT QENDROR TË PPSH, LIDHUR ME SHPENZIMET E UDHËTIMIT TË DELEGACIONIT NGA ZELANDA E RE

LIDHUR ME SHPENZIMET E UDHËTIMIT TË DELEGACIONIT NEOZELANDEZ

Delegacioni neozelandez i ka përballuar vetë shpenzimet e udhëtimit. Por gjatë bisedave shpesh trajton problemin e vështirësive financiare që ka Partia dhe thekson faktin që ardhja e delegacioneve të kësaj Partie në vendin tonë kushton shumë.

Duke sqaruar problemet teknike të udhëtimit, indirekt na evidentojnë shumën që kanë paguar, rreth 4500 dollarë, e cila konstatojmë se është e përafërt me shumën e kontributit vjetor të anëtarëve për të ndihmuar shtypin e Partisë. Disa herë kanë vënë në dukje se kanë zgjedhur për udhëtim linjën ajrore jugosllave, e cila kushton më lirë se të tjerat.

Vemë në dukje se delegacionet e kësaj Partie kanë vizituar vendin tonë gjithnjë me shpenzimet tona të udhëtimit. Nisur nga këto konstatime, si dhe nga qëllimi mjaft i motivuar i ardhjes së këtij delegacioni, mendojmë që nga ana jonë t’i paguhen shpenzimet e udhëtimit. / Memorie.al