Presidenti Donald Trump tha të hënën se po shqyrton mundësinë e shkarkimit të Kimberly Guilfoyle nga detyra e ambasadores së SHBA-së në Greqi, pas një sërë raportimesh për shkelje të dyshuara. Ai u shpreh se nuk është i kënaqur me situatën.
“Po e shqyrtojmë, po. Nuk jemi të kënaqur”, u tha Trump gazetarëve, kur u pyet nëse po mendonte ta shkarkonte atë.
Trump ka ndjekur raportimet sipas të cilave Guilfoyle ka pranuar dhurata luksoze gjatë kohës që shërbente si ambasadore dhe ka kërkuar para në këmbim të sigurimit të aksesit te zyrtarë të administratës amerikane, përpara se të konfirmohej zyrtarisht në detyrë.
CNN raportoi të dielën se presidenti po shqyrtonte mundësinë e shkarkimit të saj, ndërsa një person i njohur me çështjen tha se pritej që Trump të merrte një vendim së shpejti.
Avokatët e Guilfoyle i kanë mohuar akuzat për kërkim parash dhe kanë deklaruar se raportimet për udhëtimet e saj ishin çorientuese. Ata shtuan se ajo ka respektuar kërkesat federale për pranimin e dhuratave dhe deklarimin e tyre.
Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm (OIG) e Departamentit amerikan të Shtetit po heton Kimberly Guilfoyle lidhur me akuzat për shkelje të dyshuara, tha të hënën për CNN një burim i njohur me procesin.
Zyra e shtypit e OIG nuk iu përgjigj kërkesës për koment. Ky institucion zakonisht nuk komenton hetimet në vazhdim.
“Si çështje e politikës sonë, OIG nuk konfirmon, mohon apo komenton çështjet që lidhen me hetimet”, tha javën e kaluar për CNN një zëdhënës i zyrës së inspektorit të përgjithshëm të Departamentit të Shtetit.
Raportimet për Guilfoyle kanë shkaktuar pakënaqësi te zyrtarët e lartë të administratës amerikane, veçanërisht pasi ato dolën në dritë në kohën kur Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, po vizitonte Athinën, ku mbajti një fjalim të rëndësishëm mbi demokracinë perëndimore, nga Akropoli.
Presidenti Trump nuk e mbrojti Guilfoyle kur u pyet të premten nga CNN për akuzat.
“Sapo mora vesh për këtë. Për të ardhur keq. Dua të them, nuk e di”, tha Trump. “Sapo dëgjova pak për këtë. Nuk di shumë, por ajo ka qenë gjithmonë shumë e sjellshme.”
CNN ka kontaktuar me Shtëpinë e Bardhë për të marrë një koment.
Eric Deters, një ish-donator i Trump, tha se Guilfoyle i kishte kërkuar përmes një mesazhi që t’i transferonte 100 mijë dollarë për të shlyer detyrimet e një karte American Express, pak ditë përpara konfirmimit të saj nga Senati. Deters tha se në fund nuk ia transferoi paratë, pasi në atë kohë nuk kishte likuiditetin e nevojshëm financiar.
Mesazhet u raportuan fillimisht nga gazeta Wall Street Journal.
Avokatët e ambasadores deklaruan për CNN se Deters i detyrohej Guilfoyle para për fjalime dhe punë konsulence, duke i cilësuar të pavërteta pretendimet e tij.
“Kur zonja Guilfoyle po përgatitej të largohej nga jeta private për t’i shërbyer publikut, ajo bëri atë që bën çdo profesionist dhe u përpoq të mblidhte detyrimet e papaguara ndaj saj. T’i kërkosh një klienti të paguajë për punën e kryer tashmë nuk është korrupsion. Është e kundërta e korrupsionit”, shkruan avokatët e saj.
Sipas burimit të njohur me çështjen, Guilfoyle u ka mohuar gjithashtu zyrtarëve të administratës amerikane javën e kaluar se i kishte dërguar këto mesazhe.
Të hënën, Deters i tha CNN se nuk ishte kontaktuar nga zyra e inspektorit të përgjithshëm, por se i kishte shkruar shefes së stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, për ta informuar se planifikonte të padiste Guilfoyle për shpifje. Vendimi i tij vjen pasi avokatët e saj kundërshtuan vërtetësinë e mesazheve që ajo dyshohet se i kishte dërguar. Sipas Deters, ai nuk mori përgjigje.
“Ky problem nuk po zgjidhet, përkundrazi, po përkeqësohet për ta”, tha Deters për CNN, duke iu referuar administratës Trump. “Do ta padis atë dhe avokatët e saj për shpifje, pasi pretendojnë se mesazhet e saj me tekst janë të rreme. Më pas do të përballen me një proces gjyqësor, ajo do të jetë nën vëzhgimin e komisioneve dhe të medias”.
Të premten, zëvendëspresidenti JD Vance nuk pranoi të paragjykonte nëse Guilfoyle duhet të përballet me pasoja, duke thënë se refuzonte t’i “gjykonte njerëzit në gjykatën e opinionit publik”.
Megjithatë, ai deklaroi se, në përgjithësi, nuk ndihej rehat me skemat ku aksesi te zyrtarët shkëmbehet kundrejt pagesave.
“Sigurisht që nuk më pëlqen kur dikush shet aksesin te një zyrtar tjetër qeveritar, veçanërisht kur bëhet fjalë për një zyrtar të nivelit të lartë”, tha Vance.
“Le të shohim se cila është e vërteta. Dhe, natyrisht, nëse ka ndodhur diçka e gabuar, atëherë njerëzit duhet të mbajnë përgjegjësi për të”, shtoi ai. /CNN/
© SYRI.net