Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka zhvilluar kontrolle në paraburgimin e Bradasheshit, ku mbahet dhe Ergys Agasi.
Mësohet se gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar disa telefona celularë, por nuk dihet cilit i përkasin, bëjnë të ditur burime për gazetarin e Syrit, Elton Qyno.
Ergys Agasi u arrestua më 26 gusht teksa po udhëtonte nga Elbasani drejt Durrësit së bashku me Uljan Shpatarakun, një ish-drejtues i Policisë së Elbasanit i promovuar nga ish-kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda dhe i shkarkuar nga pasardhësi i tij në maj të këtij viti për “mosparaqitje të rregullt në punë”.
Agasi, një personazh kontrovers 39-vjeçar, ishte shpallur në kërkim prej dhjetorit të vitit të kaluar për një seri akuzash të rënda në lidhje me ekzistencën e një grupi kriminal në manipulimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI.Hetimet e SPAK lidhen me disa procedura prokurimi me vlera miliona euro, ku dyshohet se kriteret e tenderave janë favorizuar për kompani të caktuara.
Hetimi i dosjes zbuloi dhe skandalin e përfshirjes së kreut të SHISH Vlora Hyseni që ndihmonte në arrati Ergys Agasin. SPAK caktoi arrest në shtëpi për Hysenin dhe e pezulloi atë nga detyra, me akuzën e përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror, teksa u arrestua Embro Sulejmani, personi që i plotësonte nevojat Agasit në arrati dhe Fatjon Kalluçin me detyrë “Përgjegjës Sektori” në Institutin të Policisë Shkencore, për zbulimin ndaj të tretëve të të dhënave ose ndihma për të zbuluar të dhëna sekrete.
© SYRI.net