
Para se në Kuvend të votohej Reforma Territoriale, kryeministri Edi Rama mblodhi deputetët e PS dhe kërcënoi edhe ata që ishin deklaruar kundër se në rast se nuk votonin siç dëshironte ai, do të largoheshin nga partia.
Megjithatë, një mënyrë e tillë votimi nuk konsiderohet presion apo kërcënim për deputeten Sara Mila e cila tha se në të njëjtën mënyrë funksionojnë edhe Bundestagu gjerman dhe parlamenti britanik.
“Ne kemi ndjekur një rregull disiplinor, të cilin e shohim të zbatohet shpesh në Bundestag apo në Parlamentin britanik”, deklaroi ajo.
Më tej deputetja u shpreh se pavarësisht se mund të kishte mendime ndryshe nga Rama, sërish do votonte për atë që kërkon ai me arsyetimin se kryeministri 'nuk mund të votojë kundër Shqipërisë'.
“Nuk kam komplekse të mendoj ndryshe kur kam mendime pro dhe kundër kryetarit. Unë kam besim absolut se kryetari im nuk voton kundër Shqipërisë dhe nuk e mendoj të arsyeshme të hedh një votë kundër”, u shpreh Mila. Versus.al

