Fund i lumtur në Sardenjë: 31-vjeçari nxirret i gjallë pas 26 orësh në shpellë, shikoni pamjet e shpëtimit

Luca Olmeto, 31 vjeç, mbeti i bllokuar në shpellën Gorropeddu në pjesën qendrore-lindore të ishullit italian të Sardenjës, pasi një rrëshqitje dheu e mbylli plotësisht hyrjen të dielën, më 11 tetor. Në atë moment ai ndodhej rreth 10 metra nën tokë dhe iu pre çdo rrugë daljeje.

Në çastin e incidentit, ai po kryente një eksplorim në shpellë së bashku me partneren, e cila ishte disa metra më mbrapa. Ajo arriti t’i shpëtonte shembjes pa pësuar dëmtime dhe lajmëroi menjëherë autoritetet.

Të lidhura

None found

Pasi u mor sinjali i alarmit, ekipet e shpëtimit nisën një ndërhyrje të vështirë dhe punuan pa ndërprerje për të hequr shkëmbinjtë dhe dheun që kishin zënë kalimin e ngushtë. Gjatë gjithë kohës, Olmeto mbeti i ndërgjegjshëm dhe arriti të komunikonte me ekipet e shpëtimit.

Pas 26 orësh përpjekjesh, 31-vjeçari u nxor i gjallë në sipërfaqe të hënën pasdite, më 12 tetor, duke e mbyllur me sukses një operacion të vështirë shpëtimi.

Rai News bën me dije se, pasi doli në sipërfaqe, atij iu dha ndihma e parë dhe më pas u dërgua me helikopter në spital për kontrolle dhe trajtim të mëtejshëm.

Shërbimi i Zjarrfikësve të Italisë njoftoi gjithashtu se operacioni u mbyll me sukses dhe se burri iu dorëzua personelit shëndetësor pas shpëtimit.

Ndërhyrja u zhvillua në kushte tejet të vështira për shkak të hapësirës së ngushtë dhe shkëmbinjve që kishin zënë daljen, ndërsa qëndrimi i 31-vjeçarit nën tokë për më shumë se një ditë e bëri misionin e shpëtimit edhe më delikat.


Shtuar më 13.10.2026 10:01

Quantcast