Sulmet e rebelëve Houthi në Jemen, 5 civilë të vr'arë dhe 17 të plag'osur, mes tyre shumë fëmijë

Të paktën pesë civilë janë vrarë dhe 17 të tjerë janë plagosur nga sulmet e forcave Houthi në guvernatoratin Taiz të Jemenit, gjatë 24 orëve të fundit. Të dhënat janë bërë publike nga Rrjeti Jemenas për të Drejta dhe Liri, i cili raportoi se ka dokumentuar 43 shkelje gjatë kësaj periudhe.
Mes viktimave është edhe një vajzë pesëvjeçare, Ahlam Abdulsalam, e cila humbi jetën pasi bombardimet goditën banesën e familjes së saj në zonën al-Misrakh.
Sipas raportit të transmetuar nga agjencia shtetërore jemenase e lajmeve Saba, forcat Huthi kanë lëshuar më shumë se 180 predha drejt zonave të banuara në guvernatoratin Taiz. Sulmet dyshohet se janë kryer me mortaja, artileri, raketa Katyusha, municione tankesh dhe dronë.
Përveç viktimave dhe të plagosurve, bombardimet kanë shkaktuar dëme materiale. Sipas organizatës, janë dëmtuar shtatë banesa, 12 automjete private, Spitali al-Safwa dhe Xhamia al-Saeed në qytetin Taiz.
Rrjeti Jemenas për të Drejta dhe Liri paralajmëroi se bombardimet e vazhdueshme, të kombinuara me kufizimet në furnizime, po përkeqësojnë situatën humanitare dhe po vështirësojnë aksesin e civilëve në ndihmat e nevojshme.
Organizata u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara dhe bashkësisë ndërkombëtare të ndërmarrin masa urgjente për mbrojtjen e popullsisë civile dhe garantimin e furnizimeve me mallra jetike dhe shërbime mjekësore.

