Momenti kur një lidhje “klikon” rrallëherë është çështje rastësie. Disa histori dashurie nisin vrullshëm, të tjera duket se nuk marrin kurrë hov, ndërsa të tjera zbehen pikërisht kur gjithçka duket perfekte në letër.
Në astrologji, koha e një lidhjeje nuk është thjesht çështje e fatit romantik, por ndërveprim midis tranziteve, cikleve dhe rritjes së brendshme që përcakton stinët e dashurisë.
Kur yjet thonë “tani”
Ndonjëherë, një person takon partnerin e ardhshëm gjatë një tranziti të rëndësishëm, por e vëren muaj më vonë, pasi kozmosi ka kryer punën përgatitore.
Koha astrologjike nuk funksionon si çelës “ndez/fik”, por i ngjan më shumë një drite që e rrit gradualisht intensitetin e saj.
Njeriu hyn në një atmosferë emocionale ku papritur bëhen të mundura gjëra që pak kohë më parë, do të dukeshin të ndërlikuara ose jo tërheqëse.
Pjekuria emocionale në hartën e lindjes
Nuk ka rëndësi vetëm gjendja aktuale e yjeve. Harta e lindjes zbulon ritmin e brendshëm të individit, që shpesh ndryshon ndjeshëm nga mosha kronologjike.
Një theks i fortë te Dashi, Gaforrja, Peshorja, Bricjapi mund të çojë në krijimin e lidhjeve të rëndësishme që në moshë të re, të nxitura nga dëshira për të ndërtuar diçka të qëndrueshme.
Përkundrazi, një prani e fortë e shenjave si Ujori apo Shigjetari mund t’i vonojë angazhimet “përfundimtare”, edhe pse personi mund të përjetojë romanca pasionante.
Ka harta lindjeje ku pjekuria emocionale vjen “me vonesë”:
Një Hënë në tension me Saturnin, ose një Afërditë e lidhur me Neptunin, tregojnë për idealizim dhe nevojën për të mësuar dallimin midis fantazisë dhe mundësive reale. Në këto raste, dashuria zhvillohet në faza.
Takimi në momentin e duhur (ose afër tij)
Shprehja e famshme “sikur të ishim takuar më herët” shpesh e ka një bazë astrologjike. Eshtë e mundur të takosh personin e duhur në një moment të gabuar të ciklit personal, si për shembull kur një tranzit është i favorshëm për njërin partner, por shënon mbylljen e një kapitulli për tjetrin.
Edhe një përputhshmëri e shkëlqyer nuk mjafton, nëse dy rrugëtimet jetësore planetare nuk janë të harmonizuara.
Të vëzhgosh ciklet e tua emocionale nuk do të thotë të detyrosh fatin, por më tepër të dallosh kur po nis një periudhë e mbarë, apo kur ka ardhur çasti për të korrur frytet dhe për të bërë një bilanc.
Dashuria nuk u nënshtrohet verbërisht tranziteve planetare, megjithatë hyn në rezonancë me to.
Arti i vërtetë, për ata që i drejtojnë sytë nga yjet, qëndron te të kuptuarit se kur duhet këmbëngulur, kur duhet pritur dhe kur duhet pranuar se disa takime e kanë përmbushur tashmë ciklin e tyre, duke mbetur të pashlyeshme pikërisht për këtë arsye.