Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, republikani Mike Johnson, ka shprehur shqetësime për transmetimin e mundshëm drejtpërdrejt të ekzekutimit të Nidal Hasan, i cili në vitin 2009 vrau 13 persona në bazën ushtarake Fort Hood, në Teksas.
Në një intervistë për CBS News, Johnson paralajmëroi se pamjet mund të përdoren si mjet për rekrutimin e terroristëve të ardhshëm. Ai shtoi se nuk do ta ndiqte transmetimin, nëse ai do të realizohej.
Hasan, 56 vjeç, pritet të ekzekutohet me pushkatim më 3 dhjetor, në një bazë ushtarake në Teksas.
Njoftimi i sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, për mundësinë e transmetimit të ekzekutimit ka shkaktuar reagime të shumta nga udhëheqës fetarë, vëzhgues ndërkombëtarë dhe disa republikanë në Kongres.
Presidenti amerikan Donald Trump ka miratuar ekzekutimin me pushkatim, por ende nuk ka vendosur nëse ai do të transmetohet drejtpërdrejt. Edhe zëvendëspresidenti JD Vance ka deklaruar se nuk do ta ndiqte një transmetim të tillë.
Një transmetim i tillë do të ishte i paprecedentë në SHBA. Ekzekutimet e të dënuarve me vdekje nuk janë transmetuar asnjëherë drejtpërdrejt, ndërsa ushtria amerikane nuk ka kryer ekzekutime me pushkatim që prej vitit 1945.
Australia kërkon të bllokojë transmetimin
Kryeministri australian Anthony Albanese deklaroi se qeveria e tij do të bëjë gjithçka që mundet për të penguar aksesin në Australi të transmetimit, të cilin e cilësoi si të tmerrshëm.
Në një intervistë për transmetuesin publik ABC, Albanese tha se ka përgjegjësi shoqërore për të parandaluar që pamje të tilla të bëhen të aksesueshme për publikun, veçanërisht për fëmijët dhe familjet.
Autoriteti australian për rregullimin e internetit ka bërë të ditur se nuk ka kompetencat për ta ndaluar drejtpërdrejt transmetimin online. Megjithatë, kryeministri theksoi se qeveria do t’u bëjë të qartë platformave të mediave sociale se përmbajtje të tilla nuk kanë vend në Australi.
Edhe ministri australian i Mjedisit, Murray Watt, e cilësoi idenë e transmetimit si të neveritshme, duke nënvizuar kundërshtimin ndaj saj në të gjithë spektrin politik të vendit.













