Njëmbëdhjetë marinarë rezultojnë të zhdukur në det të martën (13 tetor), pasi një anije u fundos nga një sulm me dron në brigjet e Bullgarisë. Ky është rasti i dytë brenda një jave kur një anije mallrash fundoset me pasoja vdekjeprurëse në këtë zonë, duke nxitur Bullgarinë të thërrasë ambasadorin rus.
Dy anije mallrash u goditën nga dronë gjatë natës dhe njëra prej tyre u fundos, njoftuan zyrtarët bullgarë. Bullgaria nuk e akuzoi drejtpërdrejt Rusinë për kryerjen e sulmeve, por kryeministri Rumen Radev deklaroi se pasojat e tyre “i shërbejnë Federatës Ruse”.
Moska nuk kishte reaguar menjëherë lidhur me incidentet.
“Kjo është absolutisht e papranueshme, një tjetër sulm në afërsi të drejtpërdrejtë të ujërave territoriale bullgare”, tha Radev në një deklaratë televizive.
Sulmet u dënuan gjithashtu nga Ukraina dhe Bashkimi Europian.
“Deti i Zi është kthyer në një tjetër front të përshkallëzimit të luftës së Rusisë në Ukrainë”, shkroi në rrjetin social X presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. “Përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi.”
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, deklaroi të martën në X se sulmi “tregon edhe një herë shpërfilljen e qëllimshme të Moskës për jetët e civilëve”.
“Deti i Zi është një arterie jetike për sigurinë ushqimore globale. Rusia po e sulmon për ta përdorur urinë si armë dhe për ta mbajtur botën peng”, tha ai.
Zyrtarët bullgarë njoftuan se pesë anëtarë të ekuipazhit ishin shpëtuar, ndërsa 11 të tjerë rezultonin ende të zhdukur nga anija që u fundos pranë fshatit Krapets. Mediat bullgare e identifikuan anijen si Azov Concord, një anije mallrash. Kompania me bazë në Turqi që administron anijen nuk ishte menjëherë e disponueshme për koment.
Një tjetër anije, Chelsea 3, që lundronte nën flamurin e Maltës, u godit gjithashtu nga tre dronë gjatë natës, sipas zyrtarëve bullgarë. Të gjithë anëtarët e ekuipazhit, shtatë ukrainas dhe tetë azerbajxhanas, u shpëtuan dhe asnjëri prej tyre nuk pësoi lëndime të rënda.
Një javë më parë, nëntë marinarë sirianë dhe një egjiptian humbën jetën në det, pasi anija me të cilën udhëtonin u fundos nga sulmet me dronë brenda zonës ekskluzive ekonomike të Bullgarisë në Detin e Zi. Një tjetër anije u godit po atë natë, por ekuipazhi i saj u shpëtua.
Më shumë se katër vjet e gjysmë pas nisjes së luftës, të cilën Moska e filloi me pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022, transporti detar në Detin e Zi është përfshirë gjithnjë e më shumë në një betejë të zgjatur për qëndrueshmërinë ekonomike.
Ukraina dhe Rusia janë ndër eksportuesit më të mëdhenj të drithërave në botë.
Rusia ka bombarduar portet ukrainase në Detin e Zi, duke e detyruar Ukrainën të mbështetet gjithnjë e më shumë te portet lumore në Danub dhe te rrugët detare pranë brigjeve të Bullgarisë dhe Rumanisë, të dyja vende anëtare të NATO-s.
Nga ana e saj, Ukraina ka shtuar sulmet ndaj anijeve ruse që transportojnë drithëra në pjesë të tjera të Detit të Zi dhe në Detin Azov, pranë grykëderdhjes së lumit Don. /Reuters/
© SYRI.net