Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Ballsh, ku Armand Aliaj, ish-drejtues i repartit zjarrfikës në Mallakastër, është sulmuar me levë nga persona të maskuar në lokalin e tij.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:00, në momentin kur Aliaj ndodhej i vetëm në ambientet e biznesit të tij. Autorët dyshohet se e kanë goditur me levë dhe sende të forta, duke i shkaktuar dëmtime në pjesën e ballit.
Aliaj ka deklaruar se sapo kishte bërë gati kafen për të pirë, kur autorët e kanë qëlluar pas shpine, pa i thënë asnjë fjalë dhe më pas janë larguar me një automjet tip “Audi Q5”.
Pas sulmit, Aliaj është paraqitur vetë në spitalin e Ballshit, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Për shkak të plagëve, ai është transportuar drejt Spitalit Rajonal të Fierit për ekzaminime të mëtejshme.
Në dëshminë e tij, Aliaj ka deklaruar se nuk ka konflikte me persona të tjerë. Ndërkohë, mbetet e paqartë se cili ka qenë motivi i sulmit. Deri në këto momente, nuk ka një njoftim zyrtar nga Policia e Shtetit.
