Taulant Balla e ka cilësuar kryebashkiakun demokrat të Kavajës një bastexhi të rëndomtë.
Balla u pyet nëse Kavaja do të ishte një bast i humbur për PS edhe pas bashkimit me Rrogozhinën, duke kujtuar deklaratë e kryebashkiakut Fisnik Qosja i cili ka thënë se do i fitojë sërish zgjedhjet në vitin 2027.
Balla u përgjigj duke thënë se Fisnik Qosja ‘vendos baste në mënyrë të paligjshme’ dhe se ai vullnetin e popullit të Kavajës nuk e zbriste ‘në nivelin e një bastexhiu të rëndomtë’.
Zoti Balla, meqë përmendët vetë Kavajën, kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja ka deklaruar se edhe me bashkimin me Rrogozhinën do ta fitojë bashkinë. A do të jetë një bast i humbur i juaji Kavaja?
Taulant Balla: Ky vendos baste në mënyrë të paligjshme. Unë vullnetin e popullit të nderuar të Kavajës nuk zbres në nivelin e një bastexhiu të rëndomtë.
Pas përfundimit të Konferencës së Kryetarëve, Balla deklaroi gjithashtu se PS mbështet përdorimin e teknologjisë në zgjedhje.
Ai e cilësoi të nxituar qëndrimin e Berishës, duke kujtuar se PD ka dhënë dakordësinë për përdorimin e votimit elektronik në disa procese zgjedhore, pa ngritur, sipas tij, pretendime për sigurinë dhe cilësinë e këtij sistemi.
“PS e mbështet përdorimin e teknologjisë, besoj se kanë mjaftuar disa palë zgjedhje qofshin vendore apo qendrore për të konfirmuar se dalja e rezultatit menjëherë është gjëra e duhur.
E kam thënë edhe kryeministri e ka thënë se duhet të gjejmë zgjidhje për t’i dhënë fund asaj situatë pas përfundimit të zgjedhjeve ku duhen ditë të tëra për numërim. Përgjigja e zotërisë që drejton sot PD është e nxituar. Sa kohë që PD ka dhënë dakordësi në disa palë zgjedhje dhe nuk ka pasur asnjë ankesë për sigurinë, cilësinë e votimit elektronik. – tha ai.













